E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokaster Ruci mbledh strukturat drejtuese socialiste

Kreu i Asamblesë Socialiste Gramoz Ruci, ka sulmuar ashpër kreun e qeverisë shqiptare të cilin e ka quajtur mashtrues lidhur me justifikimin e tij, për problemet me listpagesat, cka sollën anomali në shpërndarjen e pagave, në sistemin buxhetor. Berisha është kokërra e mashtruesit pasi nuk ishte justifikim listpagesat, por mungesa e të hollave për shpërndarjen e tyre, buxhetorëve-është shprehur zoti Ruci. I gjendur përpara një auditori socialist që për shumë prej tyre takimi i sotëm ishte ndezje e motorrëve për fushatën elektorale të qershorit, zoti Ruci është shprehur shumë qartë se kryeministri Sali Berisha nuk ikën nga pushteti dhe për këtë populli shqiptar duhet të reagojë cka këtë mision historik, sipas Rucit, nuk ka kush ta prijë përvec socialistëve. Zoti Ruci, ka bërë prezent edhe frymën mes socialistëve në vitet 1992-1996 për luftën e tyre politike cka duhet të jetë prezente edhe në ditët e sotme. Sipas Rucit, duhet të vendoset gishti në plagë tek papunësia, varfëria, mungesa e pavarësisë së drejtësisë, sistemin arsimor të paaftë, atë shëndetësor skandaloz etj. Më pas zoti Ruci, u ndal tek ekonomia familjare e shqiptarëve që sipas tij, është shtrenjtuar disa herë më shumë se në vitet e qeverisjes socialiste. Sipas Rucit, të gjitha asortimentet ushqimore kanë pësuar rritje në raport me 2005 përfshirë edhe cmimin e energjisë elektrike. PS sipas Rucit, do fitojë por pa organizim dhe administratë zgjedhore, nuk mund të ketë fitore. Për Rucin, mjaft i rëndësishëm, është organizimi i emigrantëve dhe migrantëve brenda vendit, studentëve dhe organizimi i tyre për në ditën e votimit. Fati i zgjedhjeve vendoset në qendrën e votimit dhe tek qendra e numërimit-u shpreh Ruci, duke sjellë si shembull, rastin e mandatit të nëntë në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e 2009, i cili u bë objekt polemikash dhe përplasjesh mes socialistëve dhe demokratëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›