E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjirokastër, shërbime shëndetësore në banesa e zona të populluara nga turistët

Në këto ditë të nxehta vere, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër është angazhuar maksimalisht për të garantuar shërbim mjekësor të vazhdueshëm për të gjithë komunitetin.

Stafi mjekësor ka zbarkuar në çdo lagje, rrugicë dhe fshat, duke ofruar vizita shtëpi më shtëpi, çka ka mundësuar evidentimin në kohë të shumë problematikave shëndetësore.

“Ne të jemi në kohë reale pranë qytetarëve që edhe ata mos të bezdisen, në kuptimin e mirë për të shkuar pranë ambulancave, por në këtë mënyrë duke ndihmuar që edhe urgjenca e spitalit rajonal mos të ketë ngarkesë më të madhe“, tha Edi Sinojmeri, Drejtor i NJVKSH Gjirokastër.

Me shtimin e fluksit të turistëve vendas dhe të huaj në qytetin e gurtë, është rritur edhe përgjegjësia për ofrimin e kujdesit shëndetësor për këtë kategori.

Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër funksionon në kapacitet të plotë, 24 orë në ditë, duke u ardhur në ndihmë çdo vizitori që ka nevojë për ndihmë mjekësore.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i punës së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor është monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm. Çdo ditë kryhen kontrolle laboratorike mbi mostrat e ujit në rrjetet furnizuese, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për sigurinë mikrobiologjike dhe kimike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›