Gjithçka për buzëqeshjen perfekte
Nga zbardhja në solar tek mësymja në klinika dentare, fiksimi i vonuar i shqiptarëve për të pasur dhëmbë prej yjesh “Hollivudi”.
“Shikoja gojën e saj, buzët, përkëdhelinë e lëkurës kafe që shkrihej sakaq në rruazat e dhëmbëve që buzëqeshin. Kishte gojë perfekte, që të tundonte ta prekje dhe të mos i thoje kurrë jo. Është nga ajo rracë njerëzish, që buzëqeshja nuk u buron thjesht nga shpirti. Nuk e di në kam rënë në dashuri me të apo me buzëqeshjen e saj”,- më thoshte miku im i fëmijërisë, Ermali, për takimin e parë me të fejuarën dhe më pas bashkëshorten e tij. Sekreti i dashurisë së madhe, me sa kuptoja ishin dhëmbët e mëdhenj, të bardhë e si kristal të Eldës, që do të çmendnin padyshim çdo burrë që do të kishte rastin ta takonte. E kuptova Ermalin, kur patëm rastin të takoheshim të tre. I dhashë të drejtë. Ajo ishte me të vërtetë një grua me pamje estetike për t’u lavdëruar, që kur qeshte, fitonte me pahir admirimin e të gjithëve.
Njerëz kaq të përkushtuar ndaj dhëmbëve sa Elda, gjen rrallë. Higjiena e gojës në Shqipëri, konsiderohet për një pjesë të popullsisë luks i tepërt, me hallet që kanë. Në një studim të kryer në shkollat 9-vjeçare të Tiranës, muaj më parë, vetëm 30 për qind e nxënësve pranonin se lanin dhëmbët. Nga këta, vetëm një pjesë e vogël pohuan se i lajnë të paktën dy herë në ditë dhëmbët. Kjo shifër paraqitet shumë më e ulët tek të rriturit. Përjashto pjesën e njerëzve me mirëqënie ekonomike, pjesa e varfër e popullsisë tregon kujdes të paktë ndaj dhëmbëve. Stomatologët tregojnë se kujdesi në popullatë për higjenën e gojës, tregohet vetëm në çastet kur e ndjejnë veten të rrezikuar. Një aspekt shumë i rëndësishëm, që ndikon në mungesën kujdesit oral, është çmimi i shërbimeve dentare. Shqipëria është ndër vendet me koston më të lirë të shërbimeve dentare në Evropë, por jo në raport me individin.
Buzëqeshja perfekte...
Për të pasur buzëqeshjen e pëlqyeshme, zbardhja e një dhëmbi në klinikat tona dentare kushton 10 mijë lekë. Në total, zbardhja e dhëmbëve kushton një rrogë e mirë mujore. Të kripura konsiderohen edhe shërbimet e tjera dentare, nga vendosja e urave të porcelanit e deri tek teknika e mbjelljes së dhëmbëve. Vendosja e vidës së implantit, pa këllëfin sipër, kushton nga 500-650 euro. Në klinikën e stomatologes Ama Mino gjejmë Jolandën, e cilajeton prej vitesh në Itali. Gruaja rreth të 50-tave ka vendosur të zëvendësojë dhëmbin e humbur në nofullën e sipërme me teknikën e implantit. Doktoreshë Mino thotë se implanti, përveçse është metodë më e pak e dhimbshme, u ofron klientëve pamje më të bukur estetike. Teknika është përhapur gjerësisht kohët e fundit dhe po përkrahet nga individët me probleme të shëndetit oral.
Zbardhje në solar...
Njerëzit po fillojnë t’i kushtojnë vëmendje, gjithmonë e më shumë zbardhjes së dhëmbëve. Madje, nga padituria, shumë prej tyre gabojnë në përdorimin e peroksidit, materalit që shërben për zbardhjen e dhëmbëve. “Kam dëgjuar së fundi se disa qendra solari, bëjnë edhe zbardhje dhëmbësh. Kjo është metodë shumë e gabuar dhe dëmton njerëzit. Zbardhja duhet të jetë e kontrolluar nga specialistët përkatës, pasi në të kundërt shkatërron smaltin”. Stomatologia Mino këshillon që për të pasur buzëqeshjen e duhur, zbardhja e dhëmbëve duhet të bëhet në klinika dentare. Shpesherë, njerëzit e dhënë pas dëshirës për të pasur dhëmbë të bukur, ekzagjerojnë së tepërmi kujdesin. Doktoresha sugjeron që pas zbardhjes së dhëmbëve, të bëhet fluorizim i mirë, në mënyrë që ato gropa që janë hapur gjatë gërryerjes, të mbushen me fluor, për të mineralizuar dhëmbin dhe pjesën e smaltit. “Është e këshillueshme që personat që pijnë duhan apo konsumojnë kafe me shumicë, apo edhe verën, nëse bëjnë këtë zbardhje, duhet që minimalisht 72 orë pasi të kenë bërë zbardhjen, të heqin dorë nga këto substanca”. Megjithatë, këshilla që vlen më shumë në të tilla raste është krijimi i edukatës personale të larjes së dhëmbëve në të ri. Çmimet e shërbimeve dentare, sikurse thonë edhe vetë stomatologët, do të njohin rritje në vitet në vazhdim. Ndoshta atëherë, kur të na bien kokës, do ta kuptojmë gabimin që kemi bërë në neglizhimin e kujdesit ndaj shëndetit të gojës.
Rreziku nga pearsing...
Buzëqesh bukur me “pearsing”... Më shumë sesa modë, kjo tendencë konsiderohet ves i moshave të reja. Lajmet e fundit flasin për rritje të numrit të vajzave adoleshente, që vendosin pearsing në dhëmbët e parë, pa u informuar për rrezikun që u kanoset. Dëshira për të qenë sa më trendy i shtyn këto vajza në vendosjen e gabuar të pearsingëve në dhëmbë dhe ç’është më e keqja, nga njerëz joprofesionistë.“Pearsing në dhëmbë është një problem që duhet evidentuar. Shumë vajza kanë filluar t’i vendosin pearsing nëpër parukeri, duke i ngjitur me super-atak në dhëmbë, jashtë çdo rregulli. Ndërkohë që gurët që vendosen në dhëmbë janë të sheshtë e që nuk dëmtojnë buzën, adoleshentet vendosin gurë me majë. Më ka qëlluar që më kanë ardhur në klinikë, pacientë me buzë të çarë, me dhëmbët me ngjitës”,- thotë stomatologia Mino, ndërsa e cilëson mënyrën e fundit të vendosjes së pearsingëve nga vajzat si jo të rekomandueshme.
Tashmë ka edhe maskë të tejdukshme për dhëmbë të drejtë
Lamtumirë tela!
“Lamtumirë tela”! E reja e fundit vjen nga Amerika dhe për pak kohë, do të mund të përqafohet edhe nga shqiptarët. Bëhet fjalë për drejtimin e dhëmbëve me anët e një teknike të re, kurrë të përdorur më parë në ortopedinë dentare. Risia quhet “Invisible Line” dhe konsiston në drejtimin e dhëmbëve, jo më me tela, as me aparate fikse ortodontike, por me një maskë të tejdukshme, që vihet në aparatin e gojës së pacientit. Maska, e cila pritet të vijë së shpejti edhe në Shqipëri, drejton dhëmbët pa dhimbje, ndryshe nga telat që ishin torturë e vërtetë. Ende nuk mund të flitet për koston reale të maskës që quhet “Invisible Line”, ndërkohë që siç çdo produkt që hidhet për herë të parë në treg, mendohet të jetë ca si shtrenjtë për xhepat e shqiptarëve. Stomatologia Mino shpjegon se personi që mban maskë të tillë, nuk dallohet nga të tjerët. Çdo tre muaj, maska ndërrohet, deri në drejtimin përfundimtar të dhëmbëve.
Evolucioni i dhëmbëve
Nga kockat tek “funerali”
i protezave në gota uji
Implantet kanë me mijëra vite që kryhen në botë. Sigurisht, me metoda popullore në fillimet e tyre. Në fillim mbjelljet e dhëmbëve janë bërë me kockat e kafshëve, me materiale fildishi nga egjiptianët e lashtë. Era moderne e implanteve nis e merr jetë në vitin 1964, periudhë në të cilën është mbajtur konferenca e parë e implantologjisë. Që nga ky vit i largët e deri më sot, implantet kanë ardhur drejt perfeksionimit. Problemi qëndron në faktin se implanti ka kosto më të lartë se mënyrat e tjera të vendosjes së dhëmbëve. Procedura kërkon periudhë 6 mujore që njerëzit të rrinë pa dhëmbë tek pjesa e vidës, gjë që është pak e bezdisshme. Në Shqipëri, implantet kanë 7 vite që kanë hyrë, por bumin e vërtetë e kanë pasur dy vitet e fundit. Një mbjellje e dhëmbëve, në klinikat dentare shqiptare kushton nga 500 deri në 650 euro. Në këtë çmim përfshihet vetëm vendosja e vidës, pasi këllëfi i porcelanit që vendoset mbi të, ka çmim tjetër. Thonë se mbjellja një dhëmbi është më pak e dhimbshme se heqja e tij. Vendosja e vidës zgjat 15-30 minuta. Në Shqipëri, implanti ka ardhur duke u perfeksionuar, bashkë me aparaturat dentare. Implantet janë të rëndësishëm jo vetëm për teknikën, por edhe për personat që nuk duan të vendosin proteza të lëvizshme. Koha e gjyshërve që mbanin proteza në gota uji, ka përfunduar...
Urat me zirkon...
Një tjetër teknikë e suksesshme, në ortopedinë e dhëmbëve janë urat me zirkon. Mirë do të ishte,urat me flori, platinium, por këto janë materiale të shtrenjta. Zirkoni ka një të mirë që është i bardhë dhe porcelani vendoset mbi një skelet po të bardhë, çka e bën më estetik. Deri tani, urat e zirkonit kanë rezultuar të sukseshme. Problemi është që duhet bërë një përgatitje sa më e saktë e dhëmbit, duke qenë se ai derdhet në kompjuter. Defekti tjetër i zirkonit është se duke qenë metal shumë i fortë, ka edhe dobësitë e tij. Për urat e mëdha, është mirë që zirkoni të mos përdoret. Brunilda Pali, stomatologe në një nga klinikat me emër në Tiranë, thotë se urat me zirkon nga ana estetike dalin më bukur, pasi urat e porcelanit, kanë në bazën e tyre metalin. Urat me zirkon, shpjegon stomatologia, përdoren kryesisht për dhëmbët e parë, dhe realizimi i ngjyrës është më natyral.
Çmimet në klinikat dentare
Aparate të thjeshta të lëvizshme20 000 lekë
Aparate të lëvizshme vide30 000 lekë
Aparat fiks në një nofull me briketa metalike45 000 lekë
Aparat fiks në një nofull me briketa porcelani85 000 lekë
Aktivizimet (vizita me aparate fikse)500-1 000 lekë
RME (zgjeruesi i shpejtë)35 000 lekë
Maska faciale35 000 lekë
Aparate fikse të pjesshme (sipas nr, të briketave)15 000-30 000 lekë
Shinë me rezinë elastike për problemet në ATM15 000 lekë
Denistria estetike
Zbardhje dhëmbësh (një seancë)5.000 lekë
Kirurgjia
Heqje e dhëmbit të qumështit500 lekë
Heqje e dhëmbit të përhershëm500-1 000 lekë
Heqje e dhëmbit të pjekurisë (sipas vështirësisë)3 000-5 000 lekë
Heqja e dhëmbit të retinuar (sipas vështirësisë)5 000-15 000 lekë
Qepja pas heqjes së dhëmbit2 000 lekë
Aplikim (mbjellja e implantit)600 euro
Terapia
Pastrim gurzash1 500 lekë
Pastrim gurzash dhe trajtim gingivash2 000 lekë
Seancë fluorizimi2 000 lekë
Mbushje me amalgam2 000 lekë