Gjithçka për të mbrojtur euron - Unitet dhe vendosmëri në samitin e BE-së në Bruksel

"Ne kemi marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e euros. Nga njëra anë kemi rënë dakord për një mekanizëm permanent krizash. Kjo është e rëndësishme, sepse me këtë ne marrim përsipër detyrimin të sigurojmë stabilitetin e euros në tërësi. Dhe ky është një detyrim i të gjitha shteteve të eurozonës. Për këtë ishte e nevojshme një ndryshim i vogël i marrëveshjes të BE-së. Edhe për këtë ramë dakord."
Kështu është shprehur kancelarja gjermane, Angela Merkel në samitin dy ditor të BE-së që po zhvillon punimet në Bruksel. Pra samiti nga njëra anë vendosi për një mekanizëm permanent krizash nga viti 2013, ashtu siç e kishte kërkuar Berlini, nga ana tjetër ndryshoi marrëveshjen e Lisbonës, në mënyrë që mekanizmi i krizave të jetë i pakontestueshëm nga ana ligjore.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Jean Claude Juncker, Jyrki Tapani Katainen, Tonio Fenech, Wolfgang Schaeuble, Didier Reynders, Elena Salgado, Josef Proell, Giulio Tremonti dhe Jan Kees De Jager
Përveç kësaj në të ardhmen do të ketë një afrim më të madh të politikave ekonomike të 27 vendeve të Bashkimit Evropian. "Kjo është një ditë e mirë për Evropën!" tha kancelarja Merkel në përfundim të ditës së parë të samitit.
Ekziston vullneti politik për të bërë atë që është e nevojshme, vlerëson samitin edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy. Van Rompuy: " Shtetet anëtare që kanë si monedhë euron, mund të krijojnë një mekanizëm stabël, i gatshëm për t'u aktivizuar, për të ruajtur stabilitetin e zonës së eurospo qe se është e pashmangshme, pra dhënien e çdo lloj ndihme financiare dhe në kushte strikte."
Pra uniteti evropian për të mbrojtur monedhën e përbashkët vërtet përcakton tonin e samitit, megjithatë solidariteti evropian do të ketë kufij. Ky mekanizëm do të futet në veprim vetëm në rast se e gjithë zona e euros rrezikohet.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Kancelarja Angela Merkel në samitin e euros në Bruksel
Ministri austriak i Financave, Josef Pröll e cilëson sukses ngritjen e mekanizimit permanent për krizat. "Ajo që është arritur këtu është vërtet një gjë e madhe. Ne i treguam botës që Evropa di të bashkohet dhe të vërë në rrugën e duhur gjërat e duhura." Pröll pret që me këtë hap tregjet financiare të qetësohen.
Por nëse këto masa janë të mjaftueshme, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso vlerëson kështu: "Mendoj se përgjigja e rëndësishme që shefat e shteteve dhe qeverive kanë dhënë është: Ata do të bëjnë gjithçka, gjithçka që të sigurojnë stabilitetin e euros."
Në samit nuk u ra dakord për zgjerimin e ombrellës së shpëtimit, aktualisht e pajisur me një shumë gjigande prej 750 miliardë eurosh. Ky dakordim pritet ditën e premten.
Autor: Lindita Arapi
Redaktoi: Aida Cama