“Gjobat rrugore, në sistem brenda ditës”/ Urdhri i drejtorit të policisë Hita shmang kamatëvonesat për qytetarët

Pak ditë pasi nxori urdhrin e ri, drejtori i policisë Skënder Hita është siguruar që ai të fillojë të zbatohet. Nuk do të ketë më patrulla që ndalojnë makinat në akset rrugore. Por që nga ky moment përgjegjësia është e shoferëve, të cilët do të ndeshen me gjobat që do t’u vijnë automatikisht.
Por ka edhe një lajm të mirë: drejtori Hita ka urdhëruar që gjobat të futen brenda ditës në sistem, duke shmangur kështu kamatat abuzive të aplikuara deri tani mbi qytetarët.
Gjatë takimit me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe me Departamentin e Sigurisë Publike, Hita bëri të qartë se prioritet është përdorimi i teknologjisë, poliskanit, mjetet shpejtësimatëse dhe dronët, pasi teknologjia është e ardhmja.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi plane masash në qendrat urbane për parkimet e gabuara, manovrat e gabuara, drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit dhe për çdo shkelje që rrezikon sigurinë.
Një tjetër porosi e Hitës ishte dhe sezoni turistik, por edhe siguria në shkolla, për të cilat kërkoi vëmendje të shtuar.