Gjobëvënia ndaj Bombajt, në akuzë e mitura

Arkimed Lushaj (Stresi), duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda
TIRANE – Vajza e mitur që denoncoi ish-profesorin e saj, regjisorin Leonard Bombaj, për përdhunim, është vënë në akuzë nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Ajo dyshohet të jetë bashkëpunëtore në gjobëvëninen ndaj regjisorit, ngjarje për të cilën akuzohen edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi. Ditën e djeshme, e mitura është paraqitur në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ku i është komunikuar akuza e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim. Burime pranë organit të akuzës nuk dhanë detaje të tjera për shkak të moshës së mitur të së akuzuarës. U bë e ditur se Prokuroria është në fazën e mbylljes së hetimeve dhe dosja me pesë të pandehur pritet të depozitohet për shqyrtim gjyqësor në Gjykatën për Krimet e Rënda javën e dytë të shtatorit. Vajza e mitur është e treta në radhë së cilës i është komunikuar akuza. Në ditët e para të kësaj jave, në Prokurori për tu njohur me akuzën janë paraqitur të dyshuarit Arkimed Lusha dhe Elis Bashaj. Sipas burimeve, në ditët e ardhshme akuza do tu komunikohet edhe dy të dyshuarve të tjerë, Rolado Kurti dhe Sebastian Kallavaku.