E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese në Kosovë: Partitë duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka kërkuar nga deputetët që të kosntituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditëve, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.

Lënda u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj, por deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Për pasojë, në aktgjykimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese shkruan se seanca konstituive quhet e papërfunduar.

“Gjykata konstatoi që Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025, si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që doli fituese në zgjedhje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kandidatura e saj nuk është pranuar nga opozita, pasi e konsiderojnë si përçarëse. Gjykata Kushtetuese shkruan se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit e ka grupi më i madh parlamentar, por duke shtuar se ata kanë edhe detyrimin për të bashkëpunuar me grupet e tjera parlamentare, për të gjetur kompromisin e nevojshëm. Një detyrim i tillë, shkruan Gjykata Kushtetuese, vlen edhe për grupet e tjera parlamentare, të cilët propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit.

“Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit]  të Kushtetutës, sipas të cilit, deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit; (v) një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] të Kushtetutës po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, thuhet në aktgjykimin e publikuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›