Gjykata Kushtetuese vendos datën 19 nëntor për shqyrtimin e padisë së Sali Berishës

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Gjykata Kushtetuese pasi vendosi të kalojë në seancë plenare kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, të caktuar nga GJKKO më 20 tetor 2023, njoftoi sot datën se kur do të mbajë seancën e parë për kërkesën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, seanca e parë do të jetë më datë 19 nëntor 2024, ora 10:00.
Sali Berisha ka kërkuar shfuqizimin e masës “Detyrim paraqitje”, që u vendos fillimisht ndaj tij, të cilën e konsideron si antikushtetuese.
Aktualisht ish-kryeministri Sali Berisha është me masë sigurie “Arrest në shtëpi” që prej dhjetorit 2023, pasi refuzoi të zbatonte detyrimin e paraqitjes. Kryetari i PD, së fundmi është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
/r.e//a.f/
