Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin për Shullazin dhe grupin e tij

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Emiljano Shullazi dhe grupin e tij, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga të pandehurit.
Vendimi u mor në dhomë këshillimi nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, të cilët lanë në fuqi dënimin me 43 vite burg në total për katër të akuzuarit.
Çështja lidhet me dosjen ku Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij ishin shpallur fajtorë për gjobëvënie dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të formës së prerë të dhënë më herët, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg. Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë dënuar me nga 10 vite burg secili, ndërsa Blerim Shullazi me 9 vite burg.
Për Gilmando Dani, i dënuar më herët me 12 vite burg, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit për shkak të ndarjes së tij nga jeta.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të mbahet në paraburgim edhe për dy procese të tjera të trajtuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që lidhen me akuza të tjera në hetim.
/e.xh/a.f/