Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Klemend Balilit

TIRANË 12 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Klemend Balilit lidhur me vendimin e Apelit të Posaçëm, që në vitin 2019 e dënoi atë përfundimisht me 10 vite burg.
Treshja gjykuese: Ilir Panda, Medi Bici dhe Sandër Simoni, nuk e morën parasysh rekursin e Balilit, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Klemend Balili, kundër vendimit nr. 70, datë 17.10.2019, të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton Gjykata e Lartë.
Klemend Balili u dënua më 17 tetor 2019 përfundimisht me 10 vite burg, për kryerjen e veprave penale “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive nga nëpunësit civilë” dhe “pastrim të parave”.
Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Balili përfitoi ulje të 1/3 të dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet. Vendimi u la në fuqi nga Apeli.
Operacioni për goditjen e grupit të Balilit u zhvillua në muajin maj të vitit 2016, operacion që u shtri në Greqi dhe Belgjikë. Në atë kohë, Balili i shpëtoi arrestimit, por u vetëdorëzua pas tre vitesh arrati.
/a.f/r.e/