E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjykata e Posaçme sekuestron apartamentin e Ilir Beqajt në Vlorë

VLORË– Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e posaçme ka vendosur në sekuestro një apartament në pronësi të ish-ministrit Ilir Beqaj që mbahet I arrestuar për abuzimin e fondeve në kohën që drejtonte agjencinë e SASPAC.

Bëhet fjalë për një apartament në Lungomare të Vlorës, rreth 166 metër katror. Ish-ministri, sipas SPAK, e kishte fshehur këtë pasuri duke e riregjistruar në emër të një personi tjetër ndërsa ka qenë pronar  i vërtetë i kësaj banese, për të cilën pretendonte se nuk ishte e tij.

Ndërsa në korrik të këtij viti, me urdhër të SPAK është ushtruar kontroll në këtë apartament ku edhe janë gjetur të dhëna me interes për hetimin në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet e BE.

Sipas hetimeve ka rezultuar se në vitin 2016, një person I afërt i Ilir Beqajt, ka lidhur kontratë pronësisë me firmën ndërtuese dhe ka prenotuar apartamentin në vlerën 6,700,000 lekëve.

Një vit pas firmosjes së kësaj kontrate, SPAK thotë se ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit, por jo nga pronari që e bleu me dokumente, por nga ish-ministri Beqaj dhe bashkëshortja e tij duke investuar më shumë se 5 milionë lekë.

Nga ana tjetër Beqaj është arrestuar në korrik të këtij viti për abuzimet me fondet e SASPAC për periudhën kur ka qenë drejtues i Agjencisë së Koordinimit të Fondeve të Huaja.

Gjithashtu ai është marrë I pandehur edhe për shpërdorim detyre në lidhje me hetimet për koncensionin e sterilizimit të pajisjet kirurgjikale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›