E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata serbe cakton 30 ditë paraburgim për veteranin e UÇK-së, Avni Qenaj – Kosova: Ndjekje politike

Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, i është caktuar paraburgim 30-ditor nga autoritetet gjyqësore të Serbisë.

Sipas autoriteteve serbe dyshohet për përfshirje në krime lufte gjatë vitit 1999 ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë e ka cilësuar këtë veprim si ndjekje politike të qytetarëve të Kosovës duke theksuar se akuzat janë të pabazuara dhe me motiv politik.

Ministria njoftoi se ambasadori Jetish Jashari vizitoi Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, duke i shprehur mbështetjen e plotë institucionale të qeverisë.

Ndërkohë Qenaj deklaroi se ka pësuar presion psikologjik, por jo keqtrajtime fizike. Ai nuk është vizituar ende nga familja, por pret që kjo të ndodhë së shpejti, ndërsa familja e tij ka angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin ligjor.

Arrestimi i tij u krye më 26 nëntor në Merdarë gjatë udhëtimit drejt Bosnjë-Hercegovinës. Pas 48 orësh në Prokuplje, Qenaj u transferua në Beograd dhe më 28 nëntor u paraqit para gjykatësit për procedurë paraprake

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›