E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykatat shqiptare pa magjistratë, Ballanca: Kemi më pak gjyqtarë për 1 mijë banorë sesa vendet e BE-së

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, teksa raportonte në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe në Komisionin për Nismat Qytetare, dënoi ashpër vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Ajo theksoi se ngjarja shkaktoi tronditje dhe ndjenjë pafuqie te të gjithë dhe nënvizoi se gjyqtari i ndjerë ka kryer detyrën me dinjitet.

“Sigurisht, edhe Avokati i Popullit ka pasur një ditë shumë të keqe, përveçse të tronditur të gjithë si institucion në lidhje me këtë çështje. Sado që ne e kemi ngritur zërin në lidhje me problematikat që ka sistemi gjyqësor, ne nuk ia kemi dalë që t’u jemi pranë gjyqtarëve,” deklaroi znj. Ballanca.

Ajo vuri në dukje se sistemi gjyqësor shqiptar ka më pak gjyqtarë për 100 mijë banorë sesa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian dhe se ka ardhur koha që gjyqtarët të mbështeten jo vetëm me paga, por edhe me kushte më të mira pune. Ajo shtoi se problem mbeten po ashtu vonesat në zbardhjen e vendimeve gjyqësore.

“Ne kemi vetëm 9,8 gjyqtarë për 100 mijë banorë, pra, kemi gjysmën e gjyqtarëve për 100 mijë banorë. T’i kthehemi mbështetjes së gjyqtarëve, krijimit të kushteve të përshtatshme të punës për ta. Kjo nuk është vetëm paga dinjitoze, të cilën pjesërisht e kemi arritur. Mbingarkesa me dosje, presioni që kanë është i jashtëzakonshëm,” u shpreh Avokatja.

Avokatja e Popullit theksoi bashkëpunimin me institucionet dhe pranimin e rekomandimeve të saj nga Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Burgjeve, që kanë treguar nivel më të lartë të përmbushjes së tyre. 

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›