E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i Le Pen mbyllet, vendimi i 7 korrikut vulos fatin e saj presidencial

E ardhmja politike e lideres së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, tashmë varet nga data 7 korrik. Gjykata e Apelit në Paris njoftoi sot se kjo do të jetë data kur do të shpallet vendimi përfundimtar mbi akuzat për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.

Gjyqi pesëjavor u mbyll këtë të mërkurë, duke lënë pezull pyetjen më të madhe në politikën franceze: A do të mundet 57-vjeçarja të kandidojë për presidente në vitin 2027?

Rreziku i përjashtimit

Le Pen po apelon një vendim të rëndë të marsit 2025, i cili e shpalli atë dhe partinë e saj, “Tubimi Kombëtar”, fajtorë për krijimin e një “sistemi mashtrues” për të paguar stafin e partisë me fondet e Parlamentit Evropian (gjatë viteve 2004-2016). Nëse Apeli konfirmon dënimin e shkallës së parë, Le Pen rrezikon një ndalim 5-vjeçar nga mbajtja e posteve publike, çka do ta skualifikonte automatikisht nga gara presidenciale e vitit të ardhshëm.

Gjatë procesit, Le Pen mohoi akuzat për mashtrim të qëllimshëm. Ajo pranoi se mund të ketë pasur “mangësi administrative” ose “pakujdesi”, por këmbënguli se: “Ne nuk kemi fshehur kurrë asgjë”. Avokati i saj i tha trupit gjykues se klientja e tij po u beson atyre “punën e gjithë jetës së saj”.

Nga ana tjetër, prokurorët ishin të ashpër, duke e cilësuar skemën si një vjedhje të qëllimshme të parave publike për të kursyer fondet e partisë. Ata kërkuan konfirmimin e dënimit: 5 vite heqje të së drejtës për t’u zgjedhur dhe 1 vit arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.

Plani B, Jordan Bardella

Nëse gjykata vendos kundër saj më 7 korrik, Le Pen ka bërë të ditur se stafetën do ta marrë “nxënësi” i saj, 30-vjeçari Jordan Bardella.

Edhe pse Bardella gëzon popullaritet në rritje, analistët theksojnë se mungesa e tij e përvojës në çështjet ndërkombëtare dhe ekonomike mund të jetë një pikë e dobët për partinë në garën për “Élysée”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›