Gjyqi ndaj Metës, Vojka: Sot është ditë e mirë për drejtësinë. Populli pret drejtësi

Analisti Dorand Vojka ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se gjyqi për Ilir Metën është “një ditë e mirë për drejtësinë shqiptare”.
Vojka tha se nuk ka qenë asnjëherë palë në procesin ndaj Metës, prandaj ka një këndvështrim paksa të ndryshëm nga ata që ndodhen brenda sallës së gjyqit.
“Për mendimin tim, sot është një ditë e mirë për prokurorinë shqiptare, në mënyrë që ata të vazhdojnë punën dhe të çojnë përpara akuzat kundër zotit Meta. Sot është një ditë e mirë edhe për zotin Meta, në mënyrë që ai të fillojë mbrojtjen e vet dhe t’u tregojë njerëzve që është i pafajshëm, sipas asaj që thotë ai”, deklaroi Vojka.
Ai shtoi se dita e sotme është e mirë edhe për popullin shqiptar.
“Më në fund kemi një lider, një ish-president, dikë që ka qenë në eshelonet më të larta të pushtetit – një nga tre njerëzit më të fuqishëm të Shqipërisë – që përballet me procesin e drejtësisë. Duke parë nga ana e popullit, nga ana e njerëzve që nuk janë pjesë e asaj elite që ka drejtuar vendin, qytetarët janë të mbytur nga korrupsioni.
Sipas të gjitha anketimeve që janë bërë në Shqipëri, njerëzit duan të shohin drejtësi. Reforma në drejtësi ngjalli një farë shprese tek ata. A është kjo reformë plotësisht e drejtë apo jo? Këto janë diskutime të tjera. Por për sa i përket ditës së sotme, më në fund shqiptarët kanë mundësi të shohin procesin për të cilin shumica e tyre janë pro: të vënë para ligjit ata që dyshohen se kanë kryer korrupsion kur kanë qenë në poste zyrtare”, nënvizoi ai.
Për kërkesën e Ilir Metës lidhur me kafazin e xhamit dhe pamjen e tij gjatë seancave, Vojka u shpreh asnjanës.
“Burgu nuk është kamp pushimi. Burgu është vend ku njerëzit vuajnë dënimin. Pamja e zotit Meta tregon pikërisht këtë realitet. Politikanët që kanë në mendje të marrin vendime korruptive, le ta shikojnë zotin Meta dhe të shpresojnë që të mos kenë një të ardhme të tillë si ai – të paktën deri tani”, u shpreh Vojka.
Analisti theksoi se Meta ende nuk është dënuar dhe se, nëse gjykata e provon fajësinë pa asnjë dyshim të arsyeshëm, ai shpreson që dënimi të jetë më i rëndë se periudha e paraburgimit që ka kaluar deri tani.
Gjyqi në themel ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, si dhe ndaj të pandehurve të tjerë, nisi sot në GJKKO, me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Seanca e parë u shty për datën 11 maj.
/rtsh.al/