Gjyqi ndaj Trump për dokumentet sekrete

Avokatët e Donald Trump argumentuan të premten se prokurori i Departamentit të Drejtësisë që akuzoi ish-presidentin për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e tij në Florida, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme, ndaj edhe çështja duhet të pushohej. Pala mbrojtëse tha se Xhek Smith u emërua në nëntor të vitit 2022 në mënyrë të paligjshme nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, sepse fillimisht nuk ishte miratuar nga Kongresi dhe se zyra e prokurorit të posaçëm nuk ishte krijuar nga Kongresi.
Avokati i Trump, Emil Bove tha se Departamenti i Drejtësisë rrezikonte të krijonte një qeveri në hije përmes emërimit të prokurorëve specialë për të ndjekur penalisht çështje të caktuara. Ndërsa ekipi i Smith tha se nuk kishte asgjë të pazakontë në emërimin e tij.
Prokurorët thanë se kryeprokurori i SHBA, si kreu i Departamentit të Drejtësisë, ishte plotësisht i autorizuar për të emëruar Smith. Parashtrimi i argumenteve nga pala mbrojtëse çoi në shtyrjen pa afat të fillimit të gjyqit ndaj Trump.
Kjo sfidë pritet të sjellë vonesa të mëtejshme në çështjen penale që ishte planifikuar të niste të gjykohej muajin e kaluar.
Trump ka deklaruar se është i pafajshëm lidhur me 40 akuzat për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete të sigurisë kombëtare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, në Floridës, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021 dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i tërhequr ato.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /