E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Rama: Proces i parregullt, rezolutë për ngritjen e një misioni verifikimi

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë nismë apo rezolutë për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve në Prishtinë, Rama vlerësoi rolin e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye Hashim Thaçin, ndërsa u ndal te procesi gjyqësor që po kryhet në Hagë ndaj liderëve të UÇK-së.

Rama shprehu bindjen se “ato çaste vendimmarrjesh të mëdha për Kosovën nuk do të kishin ardhur dot ashtu siç erdhën dhe mbase e sotmja do t’i ngjante më shumë të shkuarës sesa të ardhmes, pa ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me në krye Hashim Thaçin”.

“Por sot që ne jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall e firmos këtu përpara meje pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare, e cila, në çdo hap, ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës”, tha ai.

Rama shprehu bindjen se ai është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate.

“Unë as nuk e kam diskutuar ndonjëherë dhe nuk e diskutoj as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi e ka ngritur dorën për formimin e asaj gjykate. Por ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtine, të marr fjalën e pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore përpara jush, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit, – është nyja e mbledhur në fyt prej dyshimit të madh, e krejt i arsyeshëm, për fat të keq, se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate”, shtoi ai.

“Unë nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë këtu vëllazërisht çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nisëm për t’ju kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim”, tha ai.

Rama tha se gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit.

“Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është një gjëmë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, as vetëm për Republikën e Kosovës por për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo Republikë përmes përfaqësuesve të saj në këtë sallë ja dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën dhe prandaj nuk mund të lihet, sipas meje, në heshtjen shurdhuese që ushqehet prej gjithfarë motivesh nga më fisniket, deri tek më politiket që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë demin e vet deri në fund”, theksoi ai.

Rama siguroi se nëse Kuvendi i Kosovës do të miratonte në rezolutë mbi cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, kësaj rezolute do t’i bashkohej edhe Kuvendi i Shqipërisë.

“Nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do e merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike. Partia Socialiste do ta angazhojë pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”, shtoi ai. /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›