Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gazetarja e RTSH nga Haga: Sot përmbyllet mbrojtja për Krasniqin. Më 18 shkurt flet Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë

Në Hagë vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Seanca e sotme pritet të shënojë përfundimin e deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes, konkretisht të ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqi, i cili e nisi fjalën përmbyllëse të premten.
Gazetarja e RTSH, Jonida Omeri, e cila ndodhet në Haga tha se pas përfundimit të mbrojtjes, pritet edhe replika e Prokurorisë, e cila do të paraqesë versionin e saj përfundimtar lidhur me akuzat ndaj Krasniqit.
Gazetarja Omeri tha se më 18 shkurt pritet të mbyllet faza e paraqitjes së provave dhe deklaratave përfundimtare, ku do të mbajnë edhe një fjalë të 4 ish-krerët e UÇK-së. Më pas, trupi gjykues do të tërhiqet për vendim, për të cilin ka në dispozicion deri në tre muaj për shpalljen e tij përfundimtar.
“Vijon procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sot pritet të përmbyllet mbrojtja e Jakup Krasniqi. Gjatë seancës së sotme do të jetë në fokus paraqitja përfundimtare e mbrojtjes së Krasniqit, ndërsa më pas pritet edhe fjala e Prokurorisë, e cila do të japë versionin e saj përfundimtar për çështjen.
Më 18 shkurt pritet të kemi përmbylljen e të gjithë procesit lidhur me provat dhe dëshmitë e marra gjatë gjykimit. Prokuroria ka kërkuar në total 180 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së, nga 45 vite për secilin. Mbrojtja e të katër të akuzuarve ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, duke argumentuar se nuk ka prova që i implikojnë të akuzuarit me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar në Hagë dhe se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme për të mbështetur këto akuza.
Më 18 shkurt pritet të përfundojë ky proces gjyqësor në fazën e deklaratave përfundimtare, ku Prokuroria do të japë në mënyrë finale qëndrimin e saj. Më pas, trupi gjykues do të tërhiqet për vendim dhe ka në dispozicion tre muaj për të shpallur vendimin përfundimtar”, raporton gazetarja.
Procesi zhvillohet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vitesh burg për secilin prej tyre, pra 180 vite burg në total.
Mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, duke argumentuar se nuk ka prova që i lidhin ata me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar. Sipas avokatëve, gjatë procesit janë paraqitur dëshmi që, sipas tyre, tregojnë se asnjëri prej të akuzuarve nuk ka dhënë urdhra për kryerjen e veprave të pretenduara.
/rtsh.al/