Gjyqi në Hagë, Rubin: Thaçi kishte rol politik në UÇK, nuk diktonte kushte

PRISHTINË, 15 shtator /ATSH/Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatë është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright. Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.
Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se Thaçi kishte një rol politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por jo një rol udhëheqësi dhe se “nuk diktonte rregulla dhe kushte”.
Gjatë dëshmisë së tij, Rubin është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes i cili po dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Aktualisht po merret në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç.
James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë, tregoi se si Thaçi nuk kishte nënshkruar marrëveshjen sepse ishte “nën presionin e komandantëve të UÇK-së”. Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se Hashim Thaçi nuk mund të pranonte marrëveshjen, pa qenë e përfshirë pavarësia në dokument.
“Ai na tha (Hashim Thaçi…shënim i redaktorit) që nuk mund të na thoshte ne po, pa pasur një deklaratë specifike për pavarësinë, sepse ai duhet të diskutonte me komandantët e UÇK-së. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalisht, i donin të gjitha, donin çdogjë të mundshme. Sigurisht që diplomacia nuk mund të jetë gjithmonë perfekte. Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë që mos t’i thonim as jo, as po pavarësisë në atë dokument, kështu që ne thamë mund të shprehni vullnetin e popullit pa e bërë të qartë dhe pa e thënë specifikisht fjalën pavarësi, ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit. Pra, ishte moment shumë i vështirë dhe ai na shpjegoi se nuk ishte përgjegjës për këto, ai ishte thjesht personi që po komunikonte me ne. Sepse kishte një rol politik në UÇK, por jo një rol udhëheqës. Nuk kishte kompetenca, nuk kishte autoritet, ai ishte thjesht pasqyrim i një lëvizjeje dhe shumë persona në atë lëvizje donin pavarësi tani, ose më së paku të shprehin në dokument, të konfirmohej në dokument se do të realizohet pavarësia. Ideja ishte si t’i kënaqim të gjithë dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që një dokument të vagullt sa i takon pavarësisë, ai këtë nuk mund ta pranonte se atij i kishin thënë që nëse e bën këtë, siç e tha edhe me fjalë të veta, do të ishte një tradhtar ”, tregoi Rubin para trupit gjykues.
Rubin tha se ishte moment i vështirë dhe se gjatë komunikimeve me Thaçin kishte kuptuar se “ishte mjedis me shumë presion”.
“Ka qenë një mjedis me shumë presion. Kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua, sepse në duar ishte fati i një milion personave dhe gjithçka ishte në fjalë. Nëse lëvizja kosovare do të përqafonte perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre. Përndryshe do të kishte masakër, ne kishim parashikuar masakër ku do të vdisnin me qindra mijëra persona. Dhe kjo krijon një situatë shumë të tensionuar. Përshtypja ime aso kohe ishte që ai [Hashim Thaçi] ishte një person që ishte caktuar që të komunikonte me ne. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë. Por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra dikur e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup, që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Ai nuk kishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte”, shtoi ai.
Duke folur për takimin e parë në vitin 1999 me Hashim Thaçin, James Rubin tha se ai e kishte njohur atë nga televizori.
Gjatë atyre dy javëve, Rubin tha se kaloi shumë kohë me Thaçin, ashtu edhe siç tha se e kishte udhëzuar sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.
Për dëshminë e tij janë parashikuar katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.
Në fillim të dëgjimit të dëshmitari, avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se Rubin i kishte raportuar sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
“Nga viti 1997 deri në vitin 2000, James Rubin ka shërbyer si ndihmësekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit Madeleine Albright. Kur Grupi i Kontaktit vendosi që të mblidhej për një proces paqeje në janar të vitit 1999, zotëri Rubin është udhëzuar drejtpërsëdrejti nga zonja Albright për t’u angazhuar me delegacionin shqiptar të Kosovës gjatë konferencës së Rambujesë në Kosovë dhe më pas iu bashkua negociatave si i dërguari i posaçëm në emër të sekretares së shtetit për të siguruar de-mobilizimin e UÇK-së. Në këtë kuadër, zotëri Rubin ka pasur takime të shumta me Hashim Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, kjo lejoi zotëri Rubin që të kuptonte se zotëri Thaçi ishte shqetësuar që nuk do të kishte autoritetin ose lejen e plotë për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pa miratimin e anës ushtarake ose të aspektit ushtarak të UÇK-së”, deklaroi ai.
Më tej, mbrojtja tha se gjatë negociatave që çuan në nënshkrimin e marrëveshjes, Rubin “vërejti që roli i Thaçit ishte i kufizuar sepse ai nuk ishte i angazhuar në bisedat teknike”.
“Zoti Rubin vërejti që roli i zotëri Thaçit ishte i kufizuar sepse ai nuk ishte i angazhuar në bisedat teknike, ai gjithashtu vërejti që zotëri Thaçi i ka shprehur atij personalisht që prej fillimit që ai dëshironte të kishte dhe të sigurojë në të ardhmen një Kosovë demokratike, e lirë, pa dhunë ndëretnike që funksiononte nën vlera demokratike të perëndimit deri në masën e mundur”, shtoi ai.
Dëshmitari i parë i mbrojtjes, James Rubin tha se ka punuar për senatorin amerikan Joseph Biden nga viti 1989 deri në vitin 1993. Gjatë kësaj periudhe, ai tha se ishte takuar edhe me udhëheqës të Kosovës, përfshirë presidentin Ibrahim Rugova.
Pjesë nga dëshmia e publikuar nga Kosovapress:
Misetiç: A keni pasur mundësi që gjatë këtyre udhëtimeve tuaja të jeni takuar me udhëheqës të Kosovës?
Rubin: Po. Gjatë luftërave në atë kohë, fillimisht në Kroaci dhe Serbi dhe pastaj në Bosnje, kanë qenë fokuset e këtyre udhëtimeve, do të thotë vendet përkatëse, megjithatë duke qenë të vetëdijshëm për faktin që konflikte të tilla mund të shtriheshin më tej, ne e kuptuam që ajo çfarë po ndodhte në Kosovë ishte po ashtu shumë e rëndësishme. Kështu që e kam vizituar Prishtinën në atë kohë, dy ose tri herë. Gjatë asaj kohe jam takuar të paktën një ose dy herë me Ibrahim Rugovën, jam takuar gjithashtu edhe me shqiptarë të tjerë të Kosovës, me persona të tjerë me influencë në Kosovë në atë kohë.
Misetiç: A keni pasur përfshirje ju në krijimin, ose themelimin e TPJN-së, për Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara kundër Jugosllavisë të vitit 1993?
Rubin: Po. Madeleine Albright, ish-ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe së bashku me Kombet e Bashkuara dhe një prej këshilltarëve, David Chefer, ajo ka qenë një avokate shumë e fuqishme për krijimin e atij tribunali. Unë personalisht kam punuar shumë ngushtë, kam punuar ngushtë edhe me David. Madeleine Albright ishte shumë krenare dhe unë për rrjedhojë isha shumë krenarë që kam dhënë ndihmën time modeste për krijimin e këtij Tribunali të parë të këtij lloji për ish-Jugosllavinë. Besoj që u desh ca kohë derisa të krijohet institucioni i tribunalit, kemi ardhur këtu në 1993 apo 1994 nuk më kujtohet mirë se cili vit ka qenë, megjithatë më kujtohet se e thërrisnim ne atë nënën e tribunalit”, shtoi ai.
James Rubin, i cili është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, tregoi se kur kishte qenë hera e fundit që është takuar me ish-presidentin.
“Kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira dhe tani befasisht ishte bërë kryeministër. Pra, kishin kaluar disa vite, katër-pesë vjet nëse më kujtohet mirë. Dhe kjo ka ndodhur në një restorant në Nju Jork, hera e parë. Besoj që hera e fundit duhet të kenë qenë rreth vitit 2018 kur po punoja në Uashington dhe ai në atë kohë ishte president i Kosovës.
Misetiç: Pse u takuat këtë herë?
Rubin: Unë u largova nga Londra në vitin 2018, ndoshta jam takuar me të në vititn 2019 në fakt. Pra, në vitin 2018 u ktheva në Uashington për të punuar për një firmë të njohur lobimi dhe kur u ktheva atje kisha një kontratë me Qeverinë e Kosovës. Kur partnerët kuptuan që unë e njihja shumë mirë menduan, që të unë punoja me këtë kontratë. Kjo kontratë kishte të bënte me përfaqësimin që t’i bëja unë atij në përpjekje për të bërë paqe me Serbinë. Kemi punuar shumë bashkë gjatë asaj periudhe në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellur një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe unë isha shumë i gëzuar që ta shoh atë”, shtoi Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese. Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Sakaq, të dielën, Shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Hagë në protestën e thirrur në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Duke reaguar pas protestës së zhvilluar në Hagë, Kryeministri Edi Rama theksoi se e vetmja kërkesë është drejtësia. “Drejtësi pra, drejtësi, vetëm drejtësi. Asgjë më shumë e asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj”, u shpreh Rama.
Protesta e 14 shtatorit, e thirrur nga mërgata shqiptare dhe e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), bashkoi shqiptarë nga vende të ndryshme të botës në shenjë solidariteti.
Seanca gjyqësore në Hagë 1 nga 4/Kosovapress/