E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjyshja nxjerr 3-vjeçarin që e mbanin fshehur prej një jave, e dorëzon në prokurori

Bahrie Gjuni ka dorëzuar në prokurori 3-vjeçarin që ishte zhdukur prej disa ditësh. Mësohet se fëmija ishte marrë dhe fshehur nga gjyshërit Rexhep dhe Bahrie Gjuni një javë më parë duke mos ia dorëzuar të ëmës.

Një ditë më parë, gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” për gjyshin dhe bashkëpunëtorin e tij pas marrjes dhe fshehjes së fëmijës.

Zhdukja 

Nga hetimet e ngjarjes dyshohet se gjyshja bashkë me nipin e saj fshiheshin në zonën midis Kukësit dhe Hasit.

Nga burimet e policisë së Durrësit bëhet e ditur se gjyshja e fëmijës 3-vjecar ndihmohjt nga vëllai tjetër i saj, shtetasi Flamur Selaj, 43 vjeç, ndërkohë që edhe ky është shpallur në kërkim.

Kishin kaluar 8 ditë që nga momenti kur Ile Gjuni trokiti në dyert e plicisë së Durrësit për të denoncuar moskthimin e djalit nga gjyshërit e tij.

Nëna e fëmijës, Ille Gjuni ka thënë se kishte frikë për fëmijën dhe mendonte se vjehrri dhe vjehrra mund ta kishin dërguar jashtë vendit. Ajo ka pohuar se mënjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, prindërit e tij kanë dashur ta mbanin djalin.

“U bënë sot 4 ditë. Ma kanë marrë që të shtunën në mëngjes dhe s’ma kanë sjellë. Ata duan që të ma marrin çunin, që në fillim donin të marrenin. Kam ikur me zor. Por ata thoshin “të rrijë me ne”. Vjehrri dhe vjehrra. Vinin çdo fundjavë, ia lija unë disa orë. E morën të shtunën në mëngjes dhe s’e sollën më. I mora në telefon dhe më thanë “nuk ta sjellim më.” Kërkon ta marrë ai, nuk tregon se ku është fëmijë. Thotë që “nuk e di ku është”, por gënjen”, tha nëna e fëmijës disa ditë më parë për mediat.

NJOFTIMI I POLICISË

Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›