E Diel, 1 Nëntor 2026

Glikoja e Përmetit, shije tradicionale që mban gjallë artizanatin dhe trashëgiminë

Në Përmet, tradita e glikosë vazhdon të ruhet me të njëjtin kujdes si dikur. Punishtet artizanale e konsiderojnë këtë sezon të mbarë për prodhimin e frutave dhe perimeve që përpunohen në shije tradicionale, duke i dhënë jetë një prej produkteve më karakteristike të zonës.

Ajo që bën ndryshimin nuk është vetëm cilësia e lëndës së parë, por mënyra e përgatitjes. Recetat e vjetra dhe proceset tradicionale ruhen me fanatizëm, duke bërë që çdo kavanoz glikoje të mbajë brenda shijen dhe historinë e Përmetit.

“Si vjet jeni shumë mirë. Ka kumbulla, ka për shembull fiq. Kumbulla kemi goxha sivjet. S’kemi ndonjë makineri që bën çdo gjë; çdo gjë bëhet me dorë këtu. Shiko, edhe kumbullën, edhe mbushjen, edhe paketimin e vazove, të arkave që bëjmë, i bëjmë me dorë. Nuk ka asgjë me makineri”, u shpreh Liljana Jankulla, administratore.

Pas këtyre produkteve qëndron puna e shumë familjeve përmetare. Artizanati i glikosë nuk është vetëm një traditë e trashëguar, por edhe një mundësi ekonomike që po ndihmon familjet të sigurojnë të ardhura dhe të ruajnë lidhjen me trashëgiminë e tyre.

“Ne kemi pasur dhe e kemi filluar, për shembull, këtë punë me fare pak punëtorë. Çdo vit shkon duke u rritur punësimi”, tha ajo.

Nga frutat e stinës te recetat e gjysheve, glikoja e Përmetit vazhdon të mbetet një shije që bashkon traditën, punën dhe identitetin e kësaj zone.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›