E Diel, 1 Nëntor 2026

Godet me hanxhar xhamin e makinës së 55-vjeçarit, më pas tenton ta vrasë, arrestohet 39-vjeçari në Shijak

Policia e Shijakut ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes dy personave. Një 39-vjeçar u arrestua pasi për motive të dobëta jo vetëm dëmtoi me hanxhar xhamin e automjetit të një 55-vjeçari, por e goditi këtë të fundit fizikisht, si dhe e kanosi me mjetin presës për ta vrarë.

39-vjeçari akuzohet për tre vepra penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

“Kanosi për motive të dobëta me mjet prerës një 55-vjeçar, e goditi fizikisht dhe i dëmtoi xhamin e automjetit, ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit.

Shërbimet e Policisë vunë në pranga një  39-vjeçar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin I. N., 39 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, në lagjen “Popullore”, Shijak, ka dëmtuar me mjet prerës (hanxhar) xhamin e automjetit të shtetasit D.Ç,  55 vjeç dhe më pas e ka goditur fizikisht, si dhe e ka kanosur me mjetin prerës  hanxhar për ta vrarë.

Gjatë veprimeve procedurale, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan mjetet prerëse: një thikë dhe një hanxhar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›