E Diel, 1 Nëntor 2026

Godet me sqepar të shoqen shtatzënë, burri vetëvritet

PUKE/ E dëmtuara 48-vjeçare ishte në muajin e shtatë. Sillet në Tiranë.

Viktima 50 vjeç, futi kapsollë në gojë kur gruaja ra pa ndjenja.

Bashkëshorti dhunon gruan 48-vjeçare e më pas vetëvritet me kapsollë në gojë.  Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në fshatin Rras, komuna Gjegjan në Pukë. Pashke Gjini, e cila priste fëmijën e katërt, ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa i shoqi 50 vjeç, Llesh Gjini, u gjet nga policia pa jetë, pak kohë pasi i kishte shpërthyer lënda plasëse në fytyrë. Sipas Policisë, shtatzëna në muajin e shtatë ka marrë goditje të rënda në kokë, pasi burri e ka qëlluar me sqepar, por me gjithë gjendjen e saj kritike nuk e ka humbur fëmijën.
Sikurse bëhet e ditur, pasditen e djeshme, rreth orës 17:00, në spitalin e Pukës ka mbërritur me urgjencë 48-vjeçarja Pashke Gjini. Pasi ka mbërritur në spital, bluzat e bardha kanë konstatuar se gruaja ishte shtatzënë, rreth 27-javëshe. Mjekët i kanë bërë pyetjet e para gruas, prej së cilës kanë arritur të marrin përgjigjen se një gjendje e tillë asaj i ishte shkaktuar nga bashkëshorti i saj, Llesh Gjini. Ky i fundit, pas një zënke me bashkëshorten, nuk ka kursyer dhunën fizike ndaj saj, madje sipas dëshmisë së 48-vjeçares, Gjini ka përdorur edhe sqeparin ndaj saj. Disa momente më vonë, Pashka Gjini ka pësuar gjendje të fikëti, duke e pasur të pamundur të rrëfente më tej. Me aq sa kanë arritur të dëgjojnë mjekët, kanë kuptuar se bëhej fjalë për dhunë në familje dhe menjëherë njoftuan Komisariatin e Pukës. Policia fillimisht është drejtuar për nga spitali, por gjendja e rëndë e 48-vjeçares ka bërë që ajo ta ketë të pamundur që të flasë sërish. Uniformat blu kanë arritur të mësojnë nga mjekët se çfarë i kishte ndodhur gruas shtatzënë. Pashka është dërguar me urgjencë për në spitalin e Tiranës, pasi ka marrë goditje të forta në kokë.
Një grup hetimor është nisur me shpejtësi drejt fshatit të thellë Rras, të komunës Gjegjan të Pukës. Në kohën që grupi hetimor po bëhej gati që të nisej për në fshatin nga ku edhe ka nisur kjo ngjarje e rëndë, është mësuar se 50-vjeçari Llesh Gjini i kishte dhënë fund jetës së tij, duke u vetëvrarë në një mënyrë tragjike. Pasi ka dhunuar gruan dhe ajo ka rënë pa ndjenja, ai ka menduar se e ka vrarë dhe ka marrë një kapsollë detonatore për të vrarë veten. Pasojat kanë qenë të tmerrshme dhe fatale për jetën e kryefamiljarit. Nga shpërthimi i kapsollës, viktimës Llesh Gjini i është dëmtuar kafka dhe fytyra. Ndërkohë që me të mbërritur në vendin e ngjarjes, Policia e Pukës ka marrë në pyetje familjarët e familjes Lleshi për të mësuar se cilat kanë qenë shkaqet e grindjes mes çiftit. Në shtëpinë ku ndodhi ngjarja, mësohet se ka qenë vetëm çifti dhe nëna e moshuar e autorit, ndërsa tre fëmijët jo. Dyshohet se Gjini ka qenë në gjendje të pirë kur ka nisur konflikti, i përshkallëzuar dhe për shkak të gjendjes ekonomike. Banorët që jetonin afër kanë shkuar në shtëpinë e familjes Gjini, vetëm kur kanë dëgjuar zhurmën e kapsollës, për të gjetur gruan shumë rëndë dhe burrin pa shenja jete.

Çifti kishte 3 fëmijë të rritur
Çifti Gjini kishte tre fëmijë të rritur dhe priste të sillte në jetë fëmijën e katërt. Gruaja shtatzënë në muajin e shtatë është në gjendje kritike, por mjekët nuk kanë konfirmuar nëse ka rrezik për fëmijën. Fëmija më i madh i tyre është 20 vjeç, ndërsa më i vogli 15 vjeç.

PUKE/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›