E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditen lojërat e fatit të paligjshme në Tiranë, Policia arreston administratorin e një lokali

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Multi Games 2”, duke goditur një rast të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer kontrolle në disa lokale dhe ambiente të dyshuara për organizimin e lotarive të palejuara.

Gjatë kontrolleve, u evidentua një rast në një lokal në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, ku përmes kompjuterit dhe celularit zhvilloheshin lojëra fati.

Administratori i lokalit, një 25-vjeçar, u arrestua në flagrancë. Policia sekuestroi një njësi kompjuterike dhe një telefon celular, të cilat do të përdoren si prova materiale në procesin hetimor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›