E Enjte, 5 Nëntor 2026

Goditet avokati Sokol Mëngjesi, Komisioni i Ligjeve thirrje organeve të zbardhin ngjarjen

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur se rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat.

Sipas Policisë, i dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Gjendja e tij shëndetësore është normale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, informoi Policia.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Komisioni Parlamentar i Ligjeve.

Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani kërkoi angazhim të strukturave të shtetit për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.

“Ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Avokati dhe pedagogu Sokol Mëngjesi është goditur në mes të ditës me leva. Kjo ngjarje tregon që krimi nuk ka frikë nga ligji, se nuk kemi sundim të ligjit, pasi institucionet nuk janë në krye të detyrës. Qytetarët janë të pasigurtë. Ndaj dhe Shqipëria do të vazhdojë të boshatiset dita-ditës”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së Komisionit.

Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka dënoi dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ndërsa u bëri thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë autorët.

“Në emër të Komisionit, solidarizohemi të gjithë si kolegë dhe kundërshtojmë çdo akt dhune ndaj avokatëve dhe çdo personi që ushtron profesionin e juristit. U bëj thirrje organeve të hetojnë dhe nxjerrin para përgjegjësisë fajtorët, pasi kushdo ka të drejtën për t’u mbrojtur. Dhuna është e papranueshme. Jam e bindur se organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur të vërtetën. Uroj që avokati Mëngjesi të rikuperohet. Solidarizohemi me të!”, u shpreh Bushka.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›