Goditet një rast kontrabande në Portin e Vlorës, ndalohen 3 shtetas

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Policia e Vlorës njofton se në Portin e Vlorës është goditur një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë. Sipas njoftimit, policia ka sekuestruar shishe me verë dhe paketa me cigare, teksa u proceduan penalisht 3 shtetas, shoferë të autobusit ku u gjetën këto mallra.
“Shërbimet e Pikës së Kontrollit Kufitar në Portin e Vlorës dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusin me drejtues shtetasin E. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me shishe me verë dhe paketa me cigare, pa faturë blerjeje. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin dhe ZMKT referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin E. M., 51 vjeç, si dhe për 2 shoferët e tjerë të këtij autobusi, shtetasit I. D., 63 vjeç, dhe K. Sh., 43 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.
1 nga 2/a.f/r.e/