E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet skema e mashtrimit transnacional, DPT: Gjashtë milionë euro evazion fiskal

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër evazionit fiskal ka kontribuar në zbulimin e një skeme mashtrimi transnacional në sektorin e transportit rrugor.

Hetimi u zhvillua nga Guardia di Finanza e Chieti-t, me asistencën dhe shkëmbimin e informacionit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Shqipëri.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, hetimi ka evidentuar një sërë shkeljesh me ndikim të konsiderueshëm financiar, përfshirë punonjës të padeklaruar, evazion fiskal dhe përdorimin e faturave për operacione fiktive.

Sipas DPT-së, në kuadër të hetimit janë identifikuar 95 punonjës të padeklaruar, ndërsa vlera e evazionit fiskal të evidentuar llogaritet në rreth 6 milionë euro.

Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar mbi 3,5 milionë euro fatura për operacione fiktive, si dhe më shumë se 1,2 milionë euro kontribute të papaguara.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se “do të vijojë të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me administratat tatimore dhe autoritetet partnere ndërkombëtare, për parandalimin dhe goditjen e skemave të evazionit fiskal dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme”.

/K.S/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›