E Martë, 3 Nëntor 2026

Goditet trafiku i armëve, arrestohen 5 të rinj në Tiranë, mes tyre edhe një punonjëse e burgut të Shkodrës

Një grup kriminal që merrej me trafikun e armëve të zjarrit është goditur nga policia e Tiranës mbrëmjen e së hënës. Sektori i Trafiqeve pasi kishte marrë informacion se ky grup kishte për qëllim shitjen e disa armëve në kryeqytet organizoi operacionin ‘Repishti’ ku arrestoi në flagrancë 5 persona.

Trafikantët ishin nisur nga Malësia e Shkodrës drejt Tiranës ku dyshohet se ishin lidhur me persona të tjerë për shitjen e armëve të zjarrit të cilat besohet se do të përdoreshin në krime të rënda.

Sabian Hasa, Redi Nika dhe Mirjan Hasaj ishin në mjetin tip BMV në bagazhin e të cilit u gjetën 9 armë, konkretisht: 5 automatikë dhe 4 pushkë.

Ndërsa në mjetin Voklsvagen Golf  ishin Denis Hasaj dhe Denisa Halilaj të cilët kishin si detyrë monitorimin dhe kontrollin e rrugës për të parë nëse kishte apo jo patrulla policie.

Denisa Halilaj madje figuron si punonjëse e Policisë së Burgjeve në Shkodër.

Pas ndërhyrjes në një parking në rrugën e Rinasit, agjentët sekuestruan municione luftarake, dy automjetet si dhe 5 aparate celularë.

Ndërkohë policia po zbërthen celularët e të rinjve për të gjetur të dhëna që mund të zbulojnë identitetin e personave që kishin porositur armët./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›