Goditje pasurisë së pajustifikuar, sekuestrohen apartamente dhe automjet në Gjirokastër e Sarandë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë ekzekutuar një vendim gjykate për sekuestrimin e pasurive të një shtetasi që aktualisht vuan dënimin në burg. Operacioni është pjesë e strategjisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.
Në zbatim të vendimit të datës 25 prill 2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, autoritetet kanë vendosur nën sekuestro preventive asete të konsiderueshme në pronësi të shtetasit A. B., 51 vjeç.
Shtetasi A. B., me banim në fshatin Bodrishtë të Dropullit, rezulton pronar i disa pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat tashmë janë bllokuar me urdhër gjykate: Dy njësi banimi të ndodhura në qytetin bregdetar të Sarandës, me një sipërfaqe totale prej 227.5 m²; një mjet motorik në pronësi të të njëjtit shtetas.
51-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai aktualisht po vuan dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier. Dënimi i tij lidhet me veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/rtsh.al/