Goditjet masive para festave i bënim për efekte psikologjike

Ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu në gjyq.
Kadri Hazbiu gjatë tërë procesit ka mohuar çdo akuzë dhe dëshmi që e fajëson për veprimtari armiqësore. I prerë e kategorik shfaqet sidomos përballë denoncimit për sabotim të vijës së Partisë.
Sa rebelues, aq edhe i vetëpërmbajtur, ish-kreu historik i Sigurimit të Shtetit, përtej kundërshtimit të detajeve të aktakuzës, mundohet të argumentojë me logjikë të ftohtë se gjithçka e adresuar për të është jo vetëm e pasaktë, por edhe e qëllimshme. I përcaktuar në pozicionin e vet, Kadri Hazbiu këmbëngul për të qartësuar diferencimin e gabimeve të shkaktuara prej tij gjatë ushtrimit të detyrës dhe kundërvënies për qëllime armiqëore. Pavarësisht apelit të tij, njerëzit që kanë marrë përsipër për të mbyllur historinë e dënimit të krerëve të Sigurimit pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, u rikthehen herë pas here episodeve të shumta të kumtuara gjatë seancave maratonë nga dëshmitarë të shumtë. Çdonjëra prej tyre mbetet për ta fund e krye një provë e padiskutueshme. Gjithsesi, Hazbiu e shfrytëzon mundësinë që i jep procedura për të zbardhur në proces motivet e vërteta sipas tij të orientimeve që ka dhënë si ministër i Brendshëm, për të cilat është kryqëzuar si sabotator i direktivës së Partisë për Sigurimin e Shtetit. I vëmendshëm ndaj çdo akuze, ish-kreu i Policisë së Fshehtë sqaron motivet që e kanë shtyrë për të orientuar zgjerimin e rrjetit agjenturor në qendrat urbane dhe qytezat e ngritura rishtaz, porositë e transmentuara për reduktimin e kontingjenteve dhe reflektimin e bërë pas kritikave të udhëheqësit, vizionin që ka pasur për politikën e goditjeve e deri te qëndrimi që ka mbajtur ndaj ish-funksionarit të Sigurimit, Gani Kodra, i cili gjatë një shërbimi jashtë shtetit ka shpërdoruar 56 dollarë (!). Në rrëfimin e Hazbiut, marrë nga libri i Kastriot Dervishit, veçohet praktika e ndjekur me shtimin e goditjeve para aktiviteteve të mëdha politike. Në argumentin e ish-ministrit vihet në dukje se kjo bëhej për qëllim të rritjes së presionit psikologjik ndaj armiqve, veprimtaria e të cilëve nuk njihej…
24.06.1983
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Petrit Hakani më datën 1.6.1983. Çkeni për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Petrit Hakanit dhe kam për të thënë se nuk di gjë për njoftimin që ai thotë për Qazim Kondin dhe që ka kërkuar të pyetej për të nxjerrë rrjetin e kuesturës në Elbasan. Këtë ai mund dhe duhet tia ketë bërë në atë kohë tradhtarit Mehmet Shehu që ish-ministër. Unë di që Qazim Kondi ka qenë në kuesturë, por i lidhur me lëvizjen derisa doli partizan.
Nuk di për lekët që thotë ky që paska vjedhur Halim Xhelua dhe as për lidhjet e tij me vëllezërit. Theksoj që ky vetë ka qenë në lidhje shumë shoqërore me Halim Xhelon.
Për Hazbi Lamçen kam dhënë shpjegime të plota. Unë nuk di të kem mbajtur njerëz të mi, siç thotë Petrit Hakani, megjithëse nuk jep emra. Për Bedinajt në Kaninë dhe për ndonjë rast tjetër e kam këshilluar jo një herë, që të ishte jo i matur në shprehje, se në këtë drejtim ka pasur ankesa kundër tij si në Vlorë, edhe në Elbasan.
Për Agjah Lamajn, që u zbulua nga Ministria dhe jo nga dega e Petritit, me vërtetimin e veprimtarisë armiqësore u arrestua dhe dënua me vendim gjyqësor. Për hetuesinë, që iu la në vartësi Feçor Shehut, kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Ndonjë kritikë nuk është bërë ndaj meje, Lëvdata Kopi Nikos nuk i kam bërë, ai u lirua për shkelje dhe falje.
Për Zoi Themelin mund të jetë ashtu siç thotë Petriti, që të jenë bërë vlerësime pozitive, kur ai është liruar. Hamdi Çobani ka ardhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme si kuadër i mirë dhe në Bullgari nuk di të ketë shkuar dhe u lirua si i sëmurë nga zemra.
Mua nuk më kujtohet të më ketë raportuar Petrit Hakani se Feçor Shehu rrumbullakos shifrat e statistikave agjenturore, të cilat nxirreshin dhe firmoseshin po nga ky si kryetar i degës përkatëse.
Për sa i përket marrjes së kuadrove nga fisi im, kam dhënë shpjegime në disa procese.
Është e vërtetë se ka pasur raste se persona që përpunoheshin si spiunë, të jenë arrestuar për propagandë, duke synuar që të zbulohej në hetuesi veprimtaria e spiunazhit, por me gjithë rastet e shumta, kjo nuk ka qenë vijë dhe në fund të fundit këta si armiq goditeshin.
Për politikën e goditjes flasin shifrat, të cilat nuk janë fryrë e nxitur nga ana ime për të arrestuar njerëz pa baza dhe nga shtresat tona, siç thotë Petriti. Vëmendja për një punë të kujdesshme në këtë drejtim është tërhequr disa herë. Unë nuk di të ketë pasur dosje me implikim të njerëzve në Konferencën e Tiranës, e cila të mbahej në përdorim vetëm me urdhrin tim. Kur e gjeti ku, pse nuk e bëri më problem.
Nuk di të jetë bërë ndonjë informacion se në Komitet Ekzekutiv dhe të Partisë në disa rrethe përpiloheshin shifra të rreme për realizimin e planit dhe të jetë ndaluar të përcillet lart nga ana ime. Kur janë bërë informacione të tilla, janë dërguar lart.
Me sa kujtoj unë, çështja e letrës së shkruar nga Bardhosh Halimi (daja dhe jo nip i Pajo Islamit) është pas Konferencës së Tiranës. Dhe i është bërë prezent sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë që vdiq. Për masat e marra kështu u gjykua në atë kohë dhe nuk kishte vend të dënohej më rëndë. Malo Beqari, që kishte ditur për këtë letër, u dënua në rrugë partie dhe shtetërore.
28.6.1983
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Rexhep Kolli më datë 21.5.1983. Çke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Rexhep Kollit dhe kam për të thënë se për gabimet dhe përgjegjësitë e mia në sigurim, ky bën konsiderata. Mua nuk më ka mbrojtur Mehmet Shehu, por Partia, ashtu siç ka mbrojtur këtë e kuadro të tjerë për gabimet e bëra. Nuk është e vërtetë që unë paskam sabotuar punën për rritjen e rolit udhëheqës të Partisë në organet e Punëve të Brendshme, duke fetishizuar sekretin dhe format e mbyllura të punës. Çdo gjë është bërë në përgjithësi nën kontrollin e Partisë, si nga KQ i Partisë e deri në organizatën bazë. Unë di që kemi dhënë llogari para Komitetit të Partisë për probleme të caktuara si udhëheqje, ashtu edhe për sektor të veçantë, p.sh. analiza për familjaritetin. Për politikën e goditjes dhe ato gabime që janë shfaqur, kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Këto janë trajtuar herë pas here në analizat që janë bërë dhe jo siç thotë Rexhepi, se unë qenkam kujtuar të bëj një zbërthim të tillë kur vajta në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë për Rukie Ramën nga Tropoja kam njoftuar me shkrim udhëheqjen e Partisë sipas raportit të dhënë nga ata që verifikuan çështjen. Me sa më kujtohet mua, më vonë doli se këtë çështje e fryu një punëtor operativ dhe që ndaj tij është mbajtur qëndrim. Rexhep Kolli ka qarkulluar normalisht e jo siç më kritikon ai mua. Ai kishte njësoj përgjegjësi për dobësitë e Sigurimit, sa dhe Feçor Shehu në zbulimin e puçit ushtarak. Ky nuk u spostua nga ndjekja e problemit të komplotistëve, por ndiqte anën organizative të çështjes. Unë nuk di nëse janë bërë arrestime e internime nga Saranda e Gjirokastra në vitin 1978, siç thotë Rexhepi në kohën kur ka shkuar atje për vizitë udhëheqësi, sepse në atë periudhë isha për analiza mjekësore në Francë. Unë nuk di për riatdhesime të spiunëve e diversantëve të Vojsava Duros etj. të lejuar nga Feçor Shehu, pas ikjes time nga Ministria e Brendshme. Qëndrimi që mbahej ndaj njerëzve të veçantë që vinin nga Kosova të dyshimtë, si kriter zbatohej kthimi i tyre sipas miratimit të udhëheqjes së Partisë. Për raste konkrete vendosnim ne, si Ministri. Për dy persona të ardhur nga Kosova, njëri i quajtur