E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Pse Anila duhet të jetë Ministrja e Shëndetësisë

 

Republikani Sabri Godo tha se emri i Anilës ka mbërritur në Presidencë. Kryeministria nuk e konfirmon

TIRANË- Republikani Sabri Godo ka qenë fort i qartë kur ka kërkuar ndër tre dikasteret edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Prej një muaji ai kërkonte pikërisht një njeri që më shumë sesa politik, të ishte ekspert i fushës, që do të zgjidhte shume probleme në rast se do të merrte postin e Shëndetësisë. Pra, me pak fjalë, kush tjetër përveç vajzës së tij, mjekes profesioniste Anila Godo. Madje republikani Godo ka dalë krejt hapur dje në një interviste dhënë për “TV-Alsat” në mbrojtje të vajzës së tij, edhe pse nga Kryeministria nuk ishte konfirmuar asgjë nëse do të ishte pikërisht ajo që do të merrte këtë post. Godo deklaroi nxitimthi, se emri i saj kishte mbërritur në Presidencë, një tjetër fakt që nuk u konfirmua mbrëmë nga Kryeministria. Megjithatë, duket se emërimi zyrtar i Anila Godos është vetëm çështje orësh, deri sa të gjendet një zgjidhje për paraardhësin e saj, Nard Ndoka. Sa për bashkëpunimin e saj me kryeministrin Sali Berisha, republikani Godo e sheh si tepër pozitive, për shkak të profesionit të njëjtë. “Anila ka një karakter të fortë dhe them se po të ndihmohet nga kolegët, por edhe nga Berisha, sepse ajo e ka pasur edhe pedagog kur ka studiuar për Mjekësi, mund të kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Them që po të ketë mbështetje do të arrijë të bëjë disa ndryshime, që të fillojë të dalë kjo ministri, nga kjo gjendje kritike që ka sot”,- tha Godo. Republikani ka hedhur poshtë çdo mundësi kontestimi për emrin e vajzës së saj nga PR, ndërkohë që ka theksuar se ka qenë kryeministri Berisha që është shprehur dakord që nga tre ministritë e kërkuara, republikanët të merrnin pikërisht Shëndetësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›