Gogu në ekspozitën e Biblave: Mirënjohje atyre që i mbrojtën duke u sakrifikuar

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Koleksioni i Biblave”, ku për herë të parë ekspozohen mbi 400 Bibla të rralla, të shtypura në disa prej qendrave më të rëndësishme evropiane të botimit: Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX.
Ministri Gogu ndau përvojën e tij personale si anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë në fillimin e viteve 2000, ku priftërinj katolikë, ortodoksë dhe pastorë protestantë punuan mbi të njëjtin tekst biblik, duke krijuar përkthimin unik “Së bashku”.
Gogu e quajti këtë bashkëpunim si shembull të rrallë të harmonisë ndërfetare dhe të një procesi që e ka bërë Shqipërinë model në familjen e shoqërive biblike.
Ministri Gogu solli në vëmendje edhe periudhën e errët të ndalimit të teksteve fetare gjatë diktaturës, kur Bibla u bë libër i ndaluar dhe njerëzit burgoseshin vetëm pse zotëronin një kopje.
“Libri i parë i shqipes sonë të shkruar u bë edhe libër i ndaluar nga vitet, ’67-a në ’90-ën. Më kujtohet historia e një mësuesi matematike të nderuar në Berat, që u burgos vetëm se i gjetën Ungjillin në shtëpi”, u shpreh Toni Gogu gjatë vizitës së ekspozitës. Ministri vijoi duke shprehur mirënjohjen ndaj përkthyesve që kanë sakrifikuar jetën e tyre për t’i sjellë këto tekste në shqip, ndaj atyre që i ruajtën në fshehtësi dhe ndaj specialistëve që sot i restaurojnë.
Në përmbyllje, ministri nënvizoi se kjo ekspozitë është një udhëtim i veçantë në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, një ftesë për të gjithë: besimtarë, ateistë, agnostikë e njerëz të çdo rrugëtimi shpirtëror, sepse Bibla është edhe një libër ligji, prej të cilit kanë marrë arti, muzika etj, u shpreh ministri Gogu.
1 nga 4/a.f/