E Shtunë, 31 Tetor 2026

Golat e kombetares kenaqin Kuzhen

Ai i shënuar në Serinë A ishte qershia mbi tortë. Erion Bogdani ishte pemëtari që e prodhoi këtë qershi, një gol prej bilardisti, siç e komentoi “La Gazeta delo Sport”, ndërsa ndiqte direkt ndeshjen Çezena-Bari. Tri pikë për bardhezinjtë, më shumë shpresë për të mbijetuar, por edhe më shumë gëzim për tifozët kuqezinj dhe trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe. Tashmë, janë 39 gola në Serinë A për Erin dhe 73 gjithsej në Itali, ku fiton jetesën e tij, madje më shumë se kaq, që nga viti 2000.

Fundjava nuk ka qenë vetëm e Bogdanit. Hamdi Salihi shënoi një gol për llogari të Rapidit të Vjenës, natyrisht edhe për llogarinë e tij personale, që shkoi në 50 gola jubilarë në Austri dhe 15 këtë kampionat, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i Bundesligës vendase.
Përveç dy sulmuesve kryesorë, emrin në listën e shënuesve e shënoi edhe Ledian Memushaj, mesfushori i Portogruaros, që shënoi një gol barazimi për skuadrën e tij ku ndodhet i huazuar nga Kievo e Veronës. Shqiptari hyri në lojë në pjesën e dytë dhe shënoi vetëm 3 minuta më vonë, duke barazuar rezultatin, por një barazim që nuk bëri punë, pasi Portogruaro u mund 1-2 në fushën e vet nga Triestina dhe rrezikon të bjerë në kategorinë e tretë.

Tre gola në një fundjavë të vetme nga lojtarët e saj nuk është një bilanc i paktë për një kombëtare si Shqipëria, ndonëse tashmë mund të mburret se i përket 50-es së parë të botës. Trajneri Kuzhe besohet se po i fërkon duart me kënaqësi për formën e treguar nga futbollistët e ekipit të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›