E Hënë, 2 Nëntor 2026

Goli i Ernest Muçit zgjidhet më i bukuri i muajit nëntor në Turqi

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Goli i Ernest Muçit kundër Konyaspor në javën e 14-të të Superligës turke u zgjodh goli i muajit nëntor nga faqja zyrtare e Superligës të Federatës Turke të Futbollit.

Para nisjes së takimit të së dielës Trabzonspor-Beshiktash, sekretari i përgjithshëm i Federates Turke, Sami Karaman i dorëzoi sulmuesit të Kombëtares kuqezi trofeun e golit më të bukur të muajit nëntor.

Edhe ndaj Beshiktashit (ish-skuadra e tij), Muçi u bë protagonist me lojën dhe një tjetër supergol, që e shënoi në minutën e 25-të kur rezultati ishte 0-2 në favor të miqve, duke rihapur kështu takimin. Ndeshja përfundoi në barazim 3-3 (Beshiktashi nga minuta e 38-të mbeti me 10 lojtarë).

Muçi po shënon rregullisht duke siguruar pikë të rëndësishme për skuadrën e tij, që tashmë është kthyer në pretendente për titullin kampion, duke rivalizuar me Gallatasarajin.

Muçi ka shënuar 6 gola në 4 ndeshjet e fundit, duke qenë protagonist direkt i 10 pikëve të siguruara nga Trabzonspor për të mbetur në këtë garë për titullin. Kjo është hera e parë në karrierën e Muçit që shënon në 4 ndeshje radhazi në kampionat, gjë që tregon më së miri formën e sulmuesit.

Duke qenë në kuotën e 6 golave, Muçi është vetëm një gol larg sezonit të tij më të mirë në një edicion futbollistik. Ai ka shënuar 7 gola në sezonin 2019-2020 me Tiranën në Superiore, ndërsa ka realizuar po këtë numër golash të ndarë mes Legia Vershavës dhe Beshiktashit në sezonin 2023-2024. Kësisoj, atij i duhet të gjejë vetëm 2 herë të tjera rrjetën në edicionin aktual, për të regjistruar një rekord të ri dhe me formën që po kalon, kjo arritje nuk duhet të jetë shumë larg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›