E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: 20 Shkurti 1991, dita kur Tirana foli me zërin e rinisë


TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi sot ngjarjet historike të 20 Shkurtit 1991, ditë e cila shënoi një moment vendimtar për kryeqytetin dhe për Shqipërinë.

“20 Shkurti 1991, dita kur Tirana foli me zërin e rinisë dhe Shqipëria guxoi të ëndërronte,” tha ministri. Ai theksoi se nga sallat e Kinoteatrit deri në Qytetin Studenti, ku greva e urisë u kthye në një thirrje ndërgjegjeje për mbarë vendin, rinia shqiptare shprehu dëshirën e saj për liri dhe ndryshim.

Ministri Gonxhja shtoi se rrëzimi i simbolit të shtypjes dhe çmontimi i kultit të Enver Hoxhës shënuan fillimin e një epoke të re për Tiranën dhe për gjithë vendin, duke hapur rrugën për zhvillime demokratike dhe qytetare.

Ngjarjet e 20 shkurtit 1991 mbeten pikë referimi në proceset transformuese të Shqipërisë.

Ato shënojnë kalimin drejt një regjimi të ri politik. Gjithçka nisi më 18 shkurt 1991, me grevën e urisë së studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilët kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga institucioni i tyre.

Kjo lëvizje gjeti mbështetje të gjerë qytetare, e cila kulmoi me rrëzimin e monumentit të ish-udhëheqësit të regjimit komunist në sheshin “Skënderbej”, më 20 shkurt 1991. /j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›