Gonxhja: AADF, partner në transformimet e qëndrueshme në kulturë, edukim dhe zhvillim urban

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi sot drejtorin e bordit të AADF, Michael Granoff, me të cilin diskutoi mbi rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm.
Sipas ministrit Gonxhja, fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) është një partner i rëndësishëm në nxitjen e transformimeve të qëndrueshme në kulturë, edukim dhe zhvillim urban në Shqipëri. Biseda u përqendrua në projektet e përbashkëta dhe ecurinë e tyre, që kanë ndikuar pozitivisht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se u diskutua gjithashtu për marrëveshjet e firmosura për planin e menaxhimit të Kalasë së Beratit dhe asaj të Elbasanit, si dhe për zhvillimin e Linit. Në fokus ishte edhe rikonceptimi i EXPA-s, me synimin për ta bërë funksionale njësinë e digjitalizimit, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit kulturor në vend.
Gjatë bisedës me Michael Granoff dhe CEO-t e AADF u diskutua edhe për menaxhimin që po i bëhet Parkut Kombëtar të Butrintit nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, si një model suksesi në administrimin e pasurive kulturore, ku janë rritur të ardhurat, është shtuar numri i vizitorëve, si dhe janë shtuar projektet restauruese dhe konservuese.
Ministri Gonxhja e cilësoi këtë si një bashkëpunim kyç për të ndërtuar mundësi të reja dhe për të forcuar më tej partneritetin strategjik në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
1 nga 9/j.p/r.e/