E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Artan Pogoni, personalitet i spikatur i sportit dhe arsimit të lartë shqiptar

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës e Sportit, Blendi Gonxhja, i dha lamtumirën Artan Pogonit, një prej figurave më të spikatura të volejbollit shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja, shprehu vlerësimet dhe ngushëllimet për prof. asoc. dr. Artan Pogoni, ish-student dhe ish-anëtar i stafit akademik të Universitetit të Sporteve të Tiranës, një personalitet i spikatur i sportit dhe arsimit të lartë shqiptar.

“Me një kontribut të vyer si pedagog, studiues dhe trajner, ai la gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e shkencave sportive dhe të volejbollit në vend, përfshirë edhe drejtimin e Kombëtares Shqiptare të Volejbollit për Femra.

Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që patën privilegjin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara. U prehtë në paqe!”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Artan Pogoni u nda nga jeta ditën e djeshme, në moshën 54-vjeçare, pas një arresti kardiak, duke lënë pas një kontribut të vyer në sportin shqiptar.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›