E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Blloqet e ripërdorura në Apoloni dëshmojnë për ndërtim para shekullit IV p.K. - ATSH -

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kërkimet arkeologjike në Tempullin antik të Shtyllasit, monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I, i ndodhur pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, po sjellin të dhëna të reja mbi historinë dhe trashëgiminë antike të këtij monumenti.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se misioni arkeologjik shqiptaro-gjermano-rumun, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë dhe Institutin Winckelmann të Universitetit Humboldt të Berlinit, po vijon kërkimet në këtë sit arkeologjik.

Sipas Gonxhes, gërmimet kanë mundësuar verifikimin e planimetrisë së plotë të tempullit, ndërsa zbulimi i blloqeve të ripërdorura në bazament jep dëshmi për ekzistencën e një ndërtimi më të hershëm se shekulli IV para Krishtit.

Gjithashtu, fragmentet arkitekturore dhe tjegullat e mermerit të zbuluara gjatë kërkimeve dëshmojnë rëndësinë dhe veçantinë e këtij monumenti të stilit dorik, i cili ngrihej mbi portin lumor të qytetit antik të Apolonisë.

Këto gjetje përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e njohurive mbi zhvillimin urban, arkitekturën dhe historinë e Apolonisë, një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit antik në territorin shqiptar.

Gonxhja u shpreh se rezultatet e kërkimeve ndihmojnë në njohjen dhe dokumentimin më të plotë të kësaj pasurie arkeologjike, si dhe në përcjelljen e historisë së saj te vizitorët vendas dhe të huaj.

Gërmimet arkeologjike dhe zbulimet e kryera, disa vite më parë sjellin dëshmi autentike të një tempulli antik, rreth 2500-vjeçar, i cili ruan plotësisht bazamentin e tij, ku hamendësimet e para janë për përmasa rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të zonës, si një prej Tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon.

Hamendësimet për kolonën që i ka dhënë emrin fshatit Shtyllas në Fier janë për një sipërfaqe rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të qytetit antik të Apolonisë, si një prej tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon duke qenë edhe afër portit lumor të qytetit.

1 nga 9

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›