E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Pezullohen punimet e ndërtimit në zonat turistike deri më 15 shtator

TIRANË, 1 gusht  /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi sot se pas vendimit të Këshillit të Ministrave, punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike janë pezulluar përkohësisht.

Sipas Gonxhes, periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe përfundon më 15 shtator 2026.

“Kjo masë synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve turistike dhe një mjedis më të qetë e cilësor për qytetarët dhe vizitorët”, tha ai.

Vendimi sipas ministrit Gonxhja përcakton punimet që pezullohen; punimet që përjashtohen nga pezullimi; zonat ku zbatohet masa; rregullat për lejet e ndërtimit; masat administrative në rast shkeljesh dhe institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e tij.

Ministri Gonxhja ftoi të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ndërtimore të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta.

Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.

Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to.

Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.

/e.i/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›