Gonxhja: Po punojmë për rishikimin e skemës së pensioneve dhe rritjen e të ardhurave për pensionistët

TIRANË, 18 shtator/ATSH-Maela Marini/- Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se qeveria po punon për rishikimin e skemës së pensioneve për të rritur të ardhurat për këtë kategori.
Në një prononcim për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Gonxhja tha se qeveria ka në vëmendje të veçantë dhe në fokus rritjen e të ardhurave për pensionistët.
“Është një sfidë e jona për të garantuar që të kemi një rritje të të ardhurave për pensionistët në mënyrë që të kemi një jetë sa më të denjë për ta. Për këtë po punojmë dhe po studiojmë të gjitha mënyrat për të pasur një rishikim edhe të skemës por edhe për të arritur në një rritje të të ardhurave për këtë kategori”, tha Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se, duke filluar nga fundi i vitit do të ketë një bonus i cili do të jetë i rishikuar dhe me një rritje.
“Një dialog dhe komunikim i gjerë do të fillojë nga mesi i muajit tetor me disa institucione dhe me gjithë palët e interesuara për të patur një rishikim të skemës dhe një vlerësim i cili do të na nxjerrë në rezultatet që kërkojmë për të pasur dhe gjeneruar një rritje të të ardhurave në funksion dhe favor të kësaj skeme”, tha Gonxhja.
I pyetur se ku synohet të ndërhyhet, Gonxhja tha se “po përqendrohemi më shumë te barazia mes të ardhurave që janë për profesione të njëjta, por të dala nga llogaritja e nxjerrjes së pensionit në vite të ndryshme”.
“Kjo është një nga pikat që ne duam ta adresojmë dhe ta zgjidhim. Synim kryesor është që të shikojmë nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, si atij të pjesshëm, të invaliditetit apo pensioneve të ndryshme të cilat janë në një nivel të ulët për shkak të skemës kontributive dhe kontributeve të tyre, të cilat në mënyrë të ligjshme dhe të përcaktuar ndër vite nga skema kanë atë nivel të ardhurash”, shtoi ai.
Por, ministri sqaroi se “për kategoritë që kanë një nivel nën minimumin jetik, ose në nivelin që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës, do të ketë një ndërhyje e cila të jetë në proporcion me nevojat dhe kërkesat që kanë kategoritë që kanë më shumë nevojë”.
“Kjo duke mos prekur asnjë gjë nga logjika e skemës kontributive e cila në vetvete funksionon dhe varet nga kontributet. Ne gjithësesi po mundohemi që të rrisim të ardhurat në përgjithësi edhe jashtë kësaj skeme kontributive, por natyrisht që ka shumë rëndësi tregu i punës, deklarimi, paga reale, gjithë formalizimi i tregut të punës, sepse kjo ndikon direkt në kontributin për pensionet apo të ardhurat e tjera shtesë”, tha Gonxhja.
“Ne po punojmë me Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera për të garantuar që të kemi një rritje të ndjeshme në buxhetin e shtetit në mënyrë që të bëjmë të mundur që të kemi një rritje të shpërndarjes së mirëqenies për kategori të tilla që janë më në nevojë. Pra, atë rritje ekonomike që vendi e njeh dhe e prek ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që ta çojmë edhe në këto kategori që janë më në nevojë, në një masë më të madhe”, tha ministri Gonxhja.
/a.f/