Gonxhja për ATSH: Partneriteti me MAXXI e pozicionon GKA-në në qendër të rrjeteve evropiane të muzeve

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ka dhënë detaje lidhur me Memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar të enjten në Romë mes fondacionit MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit XXI dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.
Memorandumi i nënshkruar në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare Shqipëri-Itali nga presidentja e Fondacionit MAXXI, Maria Emanuela Brun dhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Adela Demetja, shënon nisjen e një bashkëpunimi të pavarur institucional trevjeçar (2025–2028).
Në intervistën për ATSH-në, ministri Gonxhja thekson se përmes këtij partneriteti, Shqipëria përfiton ekspertizë shumëvjeçare të një institucioni lider në fushën e artit bashkëkohor dhe arkitekturës, siç është Fondacioni MAXXI – Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI në Romë.
I pyetur mbi objektivat dhe hapat që do të ndërmerren në kuadër të memorandumit, Gonxhja u shpreh se, “qëllimi i memorandumit është mbështetja e procesit të transformimit të Galerisë Kombëtare në një institucion bashkëkohor me standarde ndërkombëtare, përmes forcimit të strukturës menaxheriale, zhvillimit të programeve kulturore dhe shkencore, si dhe trajnimit të avancuar të stafit të GKA-së”.
Ministri bën me dije se në fazën e parë, bashkëpunimi do të fokusohet në mbështetjen nga MAXXI për krijimin e planit të ri të menaxhimit të GKA.
“MAXXI do të ofrojë asistencë në ndërtimin e një modeli institucional të qëndrueshëm, në zhvillimin e praktikave muzeale dhe në konsolidimin e një programi artistik dhe kërkimor që mbështet zhvillimin e skenës së artit shqiptar. Kjo do të ndihmojë në forcimin e infrastrukturës kulturore dhe rritjen e profesionalizmit në fushën e arteve pamore”, thekson ministri Gonxhja.
Në kuadër të një plani trevjeçar, parashikohen një sërë nismash, mes të cilave shkëmbime profesionale si dhe bashkëpunime në fushën e projekteve që do të specifikohen në vazhdimësi nga drejtuesit e dy institucioneve, MAXXI dhe Galeria Kombëtare e Arteve.
Gonxhja nënvizon për ATSH se, ky bashkëpunim e pozicionon GKA-në në qendër të rrjeteve evropiane të muzeve bashkëkohore dhe institucioneve kërkimore.
“Bashkëpunimi me Fondacionin MAXXI do të forcojë profilin ndërkombëtar të Galerisë Kombëtare duke i dhënë një rol aktiv në dialogun profesional dhe kulturor ndërkombëtar përmes projekteve kërkimore, trajnimeve dhe ekspozitave të përbashkëta”, vijoi ministri.
Gonxhja shtoi se ky memorandum është pjesë e një kuadri më të gjerë të diplomacisë kulturore midis Italisë dhe Shqipërisë dhe mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.
Ai vë në dukje se synohet krijimi i një ure të qëndrueshme bashkëpunimi kulturor dhe profesional mes dy vendeve, duke ndërtuar një model të ri për zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve kulturore publike në rajon.
Gjatë intervistës për ATSH, ministri Gonxhja shprehet se, kjo është marrëveshja e parë e konsoliduar, që do të pasohet nga marrëveshje të tjera për të cilat, u diskutua edhe në takimin dypalësh të zhvilluar me ministrin e Kulturës së Italisë, Alessandro Giuli në kuadër të Samitit të parë Ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Italisë.
Sa i përket zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit mes dy vendeve pas takimit me homologen Santache’, ministri Gonxhja tha se ky takim riafirmoi angazhimin e përbashkët për një partneritet të qëndrueshëm, inovativ dhe të ndërsjellë në turizëm.
“Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, harmonizimin e standardeve, lehtësimin e përvojës së udhëtarëve, zhvillimin e itinerareve kulturore, fuqizimin e aftësive dhe edukimin e profesionistëve, si dhe zgjerimin e mundësive turistike gjithëvjetore. Ky takim konsolidon marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e turizmit, për të vendosur standarde të reja për një turizëm inovativ dhe cilësor në vend”, u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
/r.e/a.f/