Gonzato: BE mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hedhur dritë mbi mizoritë e regjimit komunist

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në aktivitetin “Në emër të Njeriut”, organizuar nga Autoriteti i Dosjeve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ambasadori Gonzato u shpreh sot se Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hedhur dritë mbi mizoritë që ndodhën gjatë regjimit komunist dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut si themelin e rrugëtimit të saj të integrimit në BE.
“Drejtësia, kujtesa dhe llogaridhënia janë thelbësore jo vetëm për nderimin e viktimave të epokës komuniste, por edhe për sigurimin e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha brezat”, theksoi ai.
“Që nga vizita ime në burgun e Spaçit dhe takimi me ish-të burgosurit politikë, e drejta për t’u njohur vuajtjet e tyre ka qenë në mendjen time. Të kujtuarit nuk është vetëm për ata që jetuan në ato kohë të tmerrshme, por edhe për brezat e ardhshëm. Ata duhet të kujtojnë të zhdukurit gjatë epokës komuniste dhe nderojnë viktimat e represionit. Pa një angazhim kolektiv ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies, nuk ka njerëzim”, u shpreh ambasadori Gonzato.
Ambasadori shprehet se, duke mbështetur dhe punuar me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, shoqërinë civile dhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, BE-ja vazhdon të promovojë proceset e drejtësisë tranzicionale që ruajnë të vërtetën dhe sjellin drejtësinë për familjet e të zhdukurve.
Aktiviteti “Në emër të Njeriut” pati për qëllim të theksonte rëndësinë e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut dhe pasojat e regjimeve totalitare në Shqipëri, përmes shfaqjes së tre dokumentareve. /j.p/
1 nga 3