Gonzato: Pavarësia dhe integriteti i gjyqtarëve, detyrë dhe përpjekje e përhershme

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi sot se reforma në drejtësi dhe bashkë me të edhe vetingu synon rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori dhe institucionet e tij.
“Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka mbështetur që në fillim procesin e vetingut dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në përfundimin e tij’, tha Gonzato në tryezën e organizuar nga Ambasada e Holandës dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Ambasadori Silvio Gonzato iu bashkua diskutimeve rreth trashëgimisë së sistemit të vetingut të vendosur nga reforma në drejtësi e vitit 2016.
“Besimi eshtë një bindje që duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai nuk mund të konsiderohet i dhënë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që reforma në drejtësi është e pakthyeshme, zbatimi i saj kërkon vëmendjen dhe mbështetjen tonë të qëndrueshme. Sigurimi i pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve është një detyrë dhe një përpjekje e përhershme,” tha Gonzato.
Ambasadori i BE-së Gonzato u shpreh se “përgjegjësia dhe pavarësia janë në zemër të çdo shoqërie demokratike të qeverisur nga shteti i së drejtës”. /j.p
1 nga 3/k.s/