E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gonzato mesazh magjistratëve: Të konsolidohen arritjet e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 30 shtator /ATSH/Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit, mbështetur nga Bashkimi Evropian, organizuan sot Konferencën e Hapjes, që shënon pikënisjen zyrtare të implementimit të projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i efikasitetit, integritetit dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë me anë të përmirësimit të kapaciteteve të Shkollës Shqiptare të Magjistraturës.”

Projekti i Binjakëzimit me disa prej institucioneve kryesore të trajnimit gjyqësor në Bashkimin Evropian, Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës, Shkollën e Lartë të Magjistraturës së Italisë dhe Qendrën e Studimeve Gjyqësore të Hollandës, synon të forcojë efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë duke përmirësuar kapacitetet e Shkollës Shqiptare të Magjistraturës gjatë periudhës 2024-2026 në formimin fillestar dhe të vazhduar profesional. Duke rritur kapacitetet e saj për të tërhequr më shumë magjistratë të kualifikuar, Shkolla e Magjistraturës do të jetë në gjendje të prodhojë një grup gjyqtarësh dhe prokurorë me cilësi më të lartë, që do të kontribuojnë në forcimin kapacitetet e sistemit gjyqësor për të mundësuar drejtësi efikase, efektive, të drejtë dhe transparente.

Aktivitetin e përshëndetën personalitete të larta dhe drejtues të institucioneve të ndryshme të sistemit të Drejtësisë, si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, si Drejtori i Shkollës, Arben Rakipi, Kryetar i Këshillit Drejtues dhe Kryetar i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Ambasadorët e Francës, Italisë dhe Holandës, si dhe zv/Drejtori i Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato i dha sot një mesazh magjistratëve që të konsolidojnë arritjet e Reformës në Drejtësi.

Në fjalën e tij në një aktivitet të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës në kuadër të një projekti bashkëpunimi me shkollat më të mira të magjistratëve në Evropë, Gonzato theksoi se, rëndësia kryesore është që të mbahet fryma e reformës dhe të mos pengohet puna e saj.

“Të gjitha arritjet e Reformës në Drejtësi të konsolidohen më tej, jo vetëm në aspektin ndëshkues për luftën ndaj korrupsionit, por edhe luftën paralajmëruese”, tha Gonzato.

“Është e rëndësishme që mos të lëmë pas frymën e Reformës në Drejtësi duke marrë parasysh dhe element që mund ta përmirësojnë ose ta pengojnë zbatimin e saj dhe është e rëndësishme që ta mbrojmë. Keni të gjithë mbështetjen tonë”, u shpreh Gonzato.

Gonzato e mbylli mesazhin e tij duke përgëzuar vajzat magjistrate, ku sipas tij, shtimi i numrit të tyre në shkollë tregon avancim dhe arritje për Shqipërinë.

“Kur erdha në ceremoninë e diplomimit më bëri përshtypje dhe m’u bë qejfi që dominonin vajzat. Më bëhet qejfi që vajzat në drejtësi janë kyçi i arritjes së ndryshimeve që ka nevojë vendi”, përfundoi Gonzato.

Aktiviteti vijoi me prezantimin e projektit të binjakëzimit përpara partnerëve nga drejtuesit e projektit, Arben Rakipi dhe Emmanuelle Laudic Baron, si dhe me një seancë pyetje përgjigje ku pjesëmarrësit vendosën theksin tek rëndësia e implementimit të komponentëve të rëndësishëm të projektit të lidhur me rekrutimin, programin mësimor dhe formimin në detyrë të magjistratëve. Më pas, seanca vijuese trajtoi çështjen e ruajtjes dhe përmirësimit të integritetit dhe garantimit të tij gjatë procesit të rekrutimit të kandidatëve për magjistratë, ku mbajtën ligjëratat e tyre përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Klodian Kurushi, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Erind Mërkuri, dhe pedagogu i brendshëm i Shkollës së Magjistraturës, Dashamir Kore. Të tre folësit trajtuan kuadrin ligjor dhe problematikat gjatë procesit të rekrutimit, çështjet e integritetit gjatë rekrutimit dhe roli i shkollës për përsosjen e këtij procesi. Ky sesion u pasua nga 3 seminare të njëpasnjëshme ku 7 folës trajtuan çështjet e përmbajtura në komponentët e projektit, që lidhen me praktikat e përmirësuara për realizimin e Programeve të Formimit Fillestar, Vazhdues si dhe metodat dhe praktikat e mira për rishikimin e provimit hyrës për magjistratët. Aktiviteti u konkludua me një diskutim të hapur me pjesëmarrësit dhe përshëndetjet përmbyllëse nga drejtuesit e projektit.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›