E Diel, 1 Nëntor 2026

Goxhobelli: Ka përfunduar digjitalizimi i 4.3 milionë kartelave, u zbatuan 90 nga 123 rekomandime të KLSH-së

TIRANË, 15 korrik/ATSH-Maela Marini/ Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës mbi zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Duke raportuar në seancë, drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli u shpreh se rekomandimet e KLSH-së i përkasin periudhës së auditimit 2019-2023, për shtatë drejtori vendore.

Goxhobelli theksoi se nga 123 rekomandime të verifikuara, 90 prej tyre janë zbatuar plotësisht, pjesërisht ose janë në proces.

“Për 73.2% të rekomandimeve të lëna në këto shtatë drejtori janë marrë masat e nevojshme, sipas rekomandimit. 33 rekomandime ose 26.8 % e totalit nuk janë zbatuar, duke argumentuar pamundësinë objektive të ekzekutimit, sepse nuk kanë ekzistuar kushtet për marrjen e masave”, u shpreh ajo.

Për sa i përket rekomandimeve për marrjen e masave disiplinore, Goxhobelli theksoi se ASHK-ja ka ndjekur në çdo rast procedurat sipas legjislacionit në fuqi dhe akteve të brendshme të institucionit.

“Nga verifikimet tona rezulton se për 38 rekomandime bëhet fjalë për punonjës që nuk janë më pjesë e administratës së ASHK-së. Pra, objektivisht është e pamundur zbatimi i këtyre rekomandimeve për 38 punonjës. Për 22 punonjës janë zhvilluar procedura disiplinore, por pas shqyrtimit të fakteve dhe prapësimeve është vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për vendosjen e masave të rekomanduara”, shtoi ajo, duke shtuar se në dy raste rekomandimi të KLSH-së janë vendosur masa disiplinore vërejtje me shkrim dhe largim nga detyra.

KLSH rekomandon po ashtu edhe rishikimin administrativ dhe shfuqizimin e vendimeve të legalizimeve për objekte informale, vendimet e cilave janë emetuar në vitet 2016, 2019, 2020, 2021.

Goxhobelli solli në vëmendje fillimisht se aktet administrative kanë një afat të përcaktuar për shqyrtimin e tyre nga organi që i ka prodhuar.

“Me kalimin e këtij afati nuk mund të bëhet rishqyrtim administrativ dhe shfuqizimi i tyre dhe është konkretisht në nen i cili përcakton një afat 30-ditor, por jo më vonë se pesë vite nga njoftimi i aktit. Për rrjedhojë vendimet e viteve 2019, 2016, 2021 nuk mund të shfuqizohen më administrativisht”, shtoi ajo.

Po ashtu, Goxhobelli u ndal edhe te rekomandimi i KLSH-së që e konsideron të pazbatuar digjitalizimin e referencave.

Sipas saj, ky rekomandim nuk qëndron, pasi digjitalizimi i dokumentacionit kadastral nuk është kompetencë e drejtorive vendore, por realizohet nga Qendra e Kadastrës Digjitale.

“Në dhjetor 2025 ne përfunduam digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor. 54 milionë fletë. Në qershor të këtij viti përfunduam digjitalizimin e 4.3 milionë kartelave. Këto ishin detyrime të përcaktuara në agjendën e reformave të përmbushura nga ana jonë në kuadër të integrimit europian”, shtoi ajo.

Po ashtu, duke folur për rekomandimin mbi përcaktimin e zonave prioritare në procesin e legalizimit, Goxhobelli theksoi se përcaktimi i zonave prioritare për trajtimin e praktikave nuk është diskrecion i KLSH-së.

Goxhoballi tha se ASHK është angazhuar për përmirësimin e komunikimit me qytetarët dhe garantimin e transparencës.

Ndërkohë një tjetër grup rekomandimesh, sipas saj, lidhet me rastet e legalizimit për të cilat KLSH-ja ka konstatuar se janë legalizuar në kundërshtim me kufizimet urbanistike.

“Në të gjitha rastet drejtoritë kanë bërë rishqyrtim të dosjeve kur kanë qenë e nevojshme, kanë bërë korrespondencat me institucionet, kanë verifikuar rastet dhe nëse janë nxjerrë kundërshtim e ligjit kanë marrë masa për shfuqizimin e tyre”, shtoi ajo. /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›