E Enjte, 5 Nëntor 2026

Goxhobelli flet për prioritetet në krye të Kadastrës: Bashkitë, rol të rëndësishëm në procesin e legalizimit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli deklaron se viti 2028 është përcaktuar si afati i përmbylljes së procesit të legalizimit.

Në një intervistë në medie, Goxhobelli bëri të ditur se për këtë një rol të rëndësishëm do të luajnë edhe bashkitë, të cilat prej muajit qershor janë pjesë e procesit.

“Bashkitë, si njohëse shumë të mira të institucionit që ato drejtojnë janë në gjendje të përcaktojnë zonat të cilat paraqesin një densitet më të lartë të objekteve informale. Janë ato që do udhëheqin procesin e identifikimit të zonave prioritare dhe do shërbejnë si urë lidhëse midis qytetarëve dhe ASHK-së në plotësimin e dosjes së aplikimit për qytetarë, të cilët për një arsye ose një tjetër nuk kanë arritur ta finalizojnë”, tha ajo.

Aktualisht llogaritet të jenë rreth 230 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë vendin, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Drejtoresha e ASHK-së u shpreh se për përshpejtimin e procesit po shihet mundësia e unifikimit të praktikave për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë.

“Jemi duke punuar në kuadër të unifikimit të praktikave, pra është një shërbim kadastral. Pavarësisht nga cila zyrë trajtohet, të trajtohet në mënyrë të njëjtë. Po punojmë për unifikimin e praktikave, mendojmë se do i japë një hov të ri. Po punojmë gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemit i cili ka nevojën e vet për t’u kolauduar. Mendojmë se me lëvizjet e duhura, përfshirë edhe trajnimin e njerëzve sepse edhe njerëzit kanë nevojë të mësohen me sistemin dhe të jenë më familjarë. Do ta kthejmë ASHK-në në një institucion që është eficent dhe që jep shërbimin kadastral në kohë dhe me përgjegjësi”, tha Goxhobelli.

Goxhobelli tha se po punohet për krijimin e arkivës digjitale të Kadastrës.

“Arkiva digjitale është padiskutim prioritet i ASHK-së. Edhe në kuadër të angazhimeve që shteti ka në planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, sipas përcaktimeve të Komisionit Europian, duhet të ecim me digjitalizimin e kartelave, por edhe me finalizimin e procesit të regjistrimit fillestar. Kemi agjendë për të përmbyllur regjistrimin fillestar në 95 % të territorit brenda qershorit të 2026 dhe gjithashtu digjitalizimin e kartelave”, deklaroi ajo.

Aktualisht, informoi Goxhobelli, po punohet me digjitalizimin e kartelave, dokumentacionin tekniko-ligjor dhe digjitalizimin e hartave.

Deri tani, u shpreh ajo, është digjitalizuar 50 % e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe 25 kartelave, ndërsa për digjitalizimin e hartave është kërkuar edhe ndihma e organizmave ndërkombëtar dhe shumë shpejt do të kemi një bashkëpunim për këtë proces.

“Po ecet edhe me regjistrimin fillestar. Kemi qendrën e kadastrës digjitale që punon për proceset e digjitalizimit, por edhe regjistrimit fillestar dhe përditësimin. Kemi një vëmendje dhe një premtim nga qeveria që do të ndihmohemi për të ecur me projektin për të finalizuar procesin e regjistrimit fillestar për zonat që ende nuk e kanë kaluar këtë proces”, deklaroi Goxhobelli.

Ajo shprehu besimin se digjitalizimi i hartave mbyllet në dhjetor të 2026-ës.

“Duam të përmbyllim digjitalizimin e kartelave deri në qershor të 2026. Duam të përmbyllim regjistrimin fillestar për 108 zona kadastrale dhe dokumentacionin tekno ligjor me të cilin kemi ecur edhe më shumë. Mendojmë që mund t’ja dalim për finalizimin e digjitalizimit të hartave deri në dhjetor të 2026-ës. Procesi i legalizimit është një proces tranzitor dhe si i tillë ka një afat të përcaktuar ligjor që është viti 2028 dhe ne jemi të detyruar ta finalizojmë këtë proces brenda afatit që ligji na ka detyruar”, deklaroi Goxhobelli.

Lidhur me procesin e regjistrimit të tokave me ligjin 7501, drejtoresha e Kadastrës bëri me dije edhe praktikën që duhet të ndiqet nga qytetarët.

“Një qytetar që ka një AMTP aplikon te e-Albania nëpërmjet AMTP-së së tij origjinale, certifikatën aktuale dhe certifikatën nga 01.08.1991, apo nëse ka qenë pjesë e ndërmarrjeve bujqësore, bashkë me ndryshimet në 01.10.1992. Më pas është drejtoria vendore që bën një verifikim të dokumentacionit arkivor të kohës, që është marrë nga njësia e qeverisjes vendore, nga komisionet e ndarjes së tokës së kohës, nga drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së kohë në këshillat e qarqeve dhe në prefekture”, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli. /a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›