Grabitet argjendaria në Kamëz, autorët godasin me çekiç dhe kallash – arratisje drejt Zall-Herrit

Dy persona ende të paidentifikuar kanë grabitur të shtunën argjendarinë “Roy”, në zonën e Kamzës, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke u larguar brenda pak minutash.
Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë së brendshme, autorët kanë thyer me çekiç dhe armë zjarri xhamat e vitrinës, duke marrë bizhuteri me vlerë rreth 7 mijë euro.
Ngjarja ka zgjatur vetëm rreth 1 minutë, ndërsa pas grabitjes dy personat janë larguar me motor në drejtim të Zall-Herrit. Policia ka arritur t’i ndjekë lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë në zonë, por deri më tani nuk ka identifikim të autorëve.
Sipas hetimeve paraprake, në asnjë moment gjatë ngjarjes autorët nuk kanë hequr skafandrat, çka ka vështirësuar identifikimin e tyre.
Punonjësja e argjendarisë është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se nuk ka pasur përballje direkte me grabitësit, pasi në momentin e hyrjes së tyre të armatosur ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.