Grabiti paratë nga kasa e marketit, arrestohet 26-vjeçari në Durrës

Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash nga kasa e një marketi në lagjen nr. 17.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 15:00, teksa autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe, vetëm disa orë pas ngjarjes, është lokalizuar dhe kapur nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sipas burimeve zyrtare, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin F. S., 26 vjeç, banues në Durrës, i cili, sipas hetimeve, dyshohet se ka marrë paratë nga kasa e marketit. I riu rezulton gjithashtu me precedent të mëparshëm penal për veprën e vjedhjes.
Pas arrestimit, materialet procedurale lidhur me ngjarjen i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.