E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grafika 100 vjeçe kundër copëtimit të Shqipërisë

Plot 100 vite më parë, një karikaturë ka bërë xhiron e botës. Është botuar në Amerikë, Francë, Rumani… ishte viti 1913.

Shqipëria ishte veçse një shtet motak, që në konferenca ambasadorësh po copëtohej çika-çika për t’u mbyllur gojën ballkanasve poteremëdhenj. Ishte atëherë kur një ambasador amerikan idealist hedh në qarkullim një karikaturë apo një grafikë politike. Tepër provokuese. Shqipëria paraqitet si një femër e bukur e veshur me xhubletë e opinga, me gërsheta të gjatë, që në njërën dorë mban një shpatë, në tjetrën një kobure, drejtuar përkatësisht “Grekut”, i personifikuar si një leopard ngritur mbi dy këmbë, duke kafshuar shpatën dhe Malit të Zi, paraqitur si një majmun i zi.

Rrotulluar nëpër këmbë është një gjarpër, pranë të cilit lexohet “Serbi”.

I apasionuar pas arkivave, studiuesit Valter Gjoni i ra në dorë kjo karikaturë. Rruga për të deshifruar firmën në skaj të karikaturës e çoi te tri personalitete: ambasadori amerikan George F. Williams, fotoreporteri frankozviceran, Robert Vaucher dhe ish-kryeministri rumun, Nikolla Jorga (Nicolae Iorga).

I pari që e ka përdorur këtë karikaturë në shkrimet në shtypin e kohës dhe botimet tij mbi çështjen shqiptare, ishte ambasadori amerikan në Greqi e Shqipëri, George F. Williams. Janë të gjitha gjasat që ai të jetë edhe autor i kësaj karikature. Më pas, kjo karikaturë është përdorur edhe nga fotoreporteri i luftës, Robert Vaucher, si dhe politikani rumun, dashamirës i shqiptarëve, Nikolla Jorga. Sipas Gjonit, kjo karikaturë nuk ka përse të mbahet e fshehur…

“Isha duke kërkuar autorësinë dh të deshifroja  një firmë që ndodhej në të. Fillimisht më dukej si Nikolla Jorga, por më pas gjeta material, se ajo është karikaturë e ambasadorit amerikan  George Williams. Më pas është  marrë nga  Robert Voucher dhe Nikolla Jorga duke bërë kështu  në një farë mënyre xhiron e botës. Thuhet gjithashtu  që ka qenë  një porosi  e patriotëve shqiptarë të Bukureshtit dhe të Athinës”, tregon Gjoni per "Panorama" .

Sipas tij, “ Është provokuese , por është një vlerë jona, e cila nuk ka pse të rrijë fshehur. Ka ndenjur 100 vjet e fshehur. Kalon dorë më dorë nga një personalitet  në tjetrin  dhe asnjëri nuk tregon vëmendje. Ky është një symbol, një situatë , aq më tepër parë nga  nga një personalitet që  ka dëmtuar karrierën  e vet për  këtë dhe për qëndrimin  që ka mbajtur ndaj fateve  të Shqipërisë..Ai dha dorëheqjen. Nga ana tjetër Robert Voucher nuk ka përtuar të nxjerrë çështjen shqipatre  kudo, Jorga ka botuar pamflete, vështrime historike, protesta për Shqipërinë . Pra kemi të bëjmq me tre personalitete  që 1913-a i ka shqetësuar, i ka vënë në lëvizje që të  thonë fjalëne  tyre për Shqipërinë”, sqaron  Xhoni. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›