Gramsh, rritet niveli i lumit në Kërrpicë, vendosen masa emergjente

Nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut Elbasan bëhet e ditur se në fshatin Kërrpicë, Njësia Administrative Kushovë, bashkia Gramsh, lumi i Kërrpicës rrezikon të dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura.
Për të parandaluar përmbytjen e 8 banesave të rrezikuara, Bashkia Gramsh ka dërguar menjëherë në terren një mjet tip fadromë, i cili po punon për forcimin e argjinaturës dhe krijimin e mbrojtjeve të përkohshme.
Ndërkohë, drejt fshatit Kërrpicë është nisur edhe një mjet zjarrfikës me efektivë të MZSH Gramsh, të cilët do të jenë në gatishmëri për të reaguar në çdo moment nëse situata përkeqësohet.
Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile bëjnë të ditur se janë në ndjekje të situatës dhe u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren.
/rtsh.al/